erion veliaj serveri one

Natën e Krishtlindjeve kanë sulmuar godinën kryesore të “One Telecommunication” ku ndodhen serverat qëndrorë të kompanisë si për komunikimet, edhe për financën e kompanisë.

Burime për “Ora News” bëjnë me dije se tre persona me maska kanë hyrë në godinë (në prezencë të rojeve të sigurisë, pasi ajo godinë ruhet 24 orë me personel sigurie nga kompania “Nazëri”), kanë thyer disa kompjutera dhe nuk dihet se çfarë veprimesh të tjera kanë bërë!

Pavarësisht se reagimi ka qenë i dobët nga kompania e sigurisë në momentin e parë, me fshtësinë që ka vazhduar edhe në ditët në vazhdim, lë të kuptohet se shefi i sigurisë së “One” si dhe nivele të tjera drejtuese të vetë, kanë tentuar ta mbajnë të fshehtë si ngjarje.

Kjo pasi, sipas po të njëjtave burimeve, mësohet se nuk është bërë asnjë kallëzim në Policinë e Shtetit për këtë ngjarje të rëndë, e për rrjedhojë nuk ka pasur asnjë hetim ligjor nga ana institucioneve ligjzbatuese.

Bëhet fjalë për një ngjarje që ka ndodhur pikërisht në kulmin e zhvillimeve që vinin nga Prokuroria e Posaçme, ku në kushtet kur kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i vëllai i tij Arbër Veliaj dhe vetë kompania “One” po hetohen për afera të pista, kjo ngjarje e dëmtimit apo heqjes së serverëve, në vetvete dhe mos reagimi i institucioneve e mos bërja publike e faktit ngre dyshimin që vërtet po tentohet t’i fshihet diçka SPAK-ut.

Sipas burimeve, në mjediset e kompanisë nën zë flasin për hajdutë ordinerë, por fotoja e mëposhtme e vënë në dispozicion nga të njëjtat burime, tregon që ata duken më shumë si para-ushtarak që kanë qëllim të qartë prishjen e provave në serverat e kompanisë dhe jo përvetësim të vlerave materiale siç zakonisht bëjnë hajdutët.

Pamjet kur “hajdutët” futen në ambientet e kompanisë “One”

Për më tepër, asnjë masë administrative nuk është marrë ndaj kompanisë së sigurisë dhe stafit të saj çka shton edhe më shumë bindjen se ky akt i papreçedentë ka ndodhur me marrëveshje mes-palëve dhe me porosi të vetë niveleve drejtuese të kompanisë “One”!

Vlen të kujtojmë se në kompaninë “One Telecomunication” punojnë edhe disa familjarë të njerëzve të veshur me pushtet dhe të gjitha të dhënat të çojnë në dyshimin se po përpiqen të fshehin provat ndaj institucionit të akuzës, SPAK!

Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) po heton marrëdhëniet mes kompanisë “One Communication” dhe “Gogel”, e cila drejtohet nga Arbër Veliaj. Në qendër të hetimeve janë dyshimet për favorizime apo ushtrim të ndikimit të paligjshëm nga ana e Veliajt për të siguruar kontrata.

Sipas dokumenteve hetimore, kompania “One” paguan Arbër Veliajn për marketing dhe promovim, ndërkohë që fiton tendera (pa garë) në Bashkinë e Tiranës, e drejtuar nga vëllai i madh i familjes Veliaj, Erioni. SPAK ka zbuluar se një kompani sigurimi dhe “One Communication” kanë pasur marrëdhënie kontraktuale me “Gogel” në vlerë prej 5 milionë eurosh.

“Nga hetimi rezulton se klienti kryesor i ‘Gogel shpk’ është shoqëria ‘One Albania’, me një total shitjesh prej 551.639.924 lekë të reja”, thuhet në vendimin e gjykatës për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për Erion Veliaj.

Në vijim, në vendimin e Gjykatës së Posaçme jepen detaje të përfitimeve që ka marrë kompania “One” nga bashkia e Tiranës, nën drejtimin e Erion Veliaj.

Pjesë nga dosja hetimore e SPAK-ut miratuar nga GJKKO

Hetimet e SPAK-ut vijojnë për të zbardhur të gjitha detajet e kësaj skeme dhe për të përcaktuar shkeljet ligjore.

/Ora News