Nënkalimi i TEG që u kushtoi shqiptarëve 13,7 milionë euro, ditën e djeshme u mbulua nga uji duke u kthyer si një ‘pishinë ku lahen makinat’.

Kryeministri Rama dhe ministrja Belind Balluku e cilësuan si një “frymëmarrje të re të trafikut”, por harruan se pas verës vjen edhe dimri që sjell shira të rrëmbyeshëm.

Dje ishte rasti tipik se si një investim shumë i shtrenjtë, u kthye në kaos për shoferët që do lëviznin për në jug-lindje dhe për ata që do vinin në Tiranë.

Fotoja e mëposhtme e nënkalimit të TEG tregon shumë qartë edhe një makinë të ngecur në ujë ku shoferi hipën në barrierat ndarëse të rrugës.

Vepra miliona euro nga xhepat e shqiptarëve, duket se i bëri nder vetëm kryeministrit Rama, i cili shkon në banesën e tij në Surrel dhe nuk dëshiron të përballet me trafik dhe qëndrës tregtare të biznesmenit Samir Mane.

Kush e ndërtoi këtë vepër infrastrukturore që ‘fut ujë’:

Fituesi i tenderit “Ndërtim Rruga mbikalimi Teg dhe rrugët lidhëse të tij” nga Autoritetit Rrugor Shqiptar u shpall kompania Alb-Building ku burimi i Financimit ishte buxheti i Shtetit.

Kjo firmë është në pronësi të shtetasve Odhise Bresha dhe Pëllumb Beta. Tenderi ishte i dyshimtë gjithashtu edhe për një fakt tjetër pasi vlera fituese është thuajse identike me fondin limit, ose sa 94.78% e tij. Kjo përbën një dyshim të fortë se tenderi është i manipuluar dhe fituesi i paracaktuar.

Projekti

Pjesa tek rrethrotullimi i TEG ende pa hyrë në autostradën Tiranë-Elbasan është bërë në jo pak raste shkak për aksidente të rënda.

Ndërhyrjet e bëra herë pas here kanë synuar plotësimin me sinjalistikë dhe bërjen më evidente të kujdesit që duhet të tregohet nga shoferët por Autoriteti Rrugor Shqiptar ka vendosi se zgjidhja do të ishte një nënkalim.

Ky institucion hapi procedurën për ndërtimin dhe për mbikëqyrjen e zbatimit të këtij projekti duke vënë në dispozicionsi fillim shumën 12 milionë euro, por që arriti deri në 13.7 milionë euro për Alb-Building.