Prej disa ditësh, këngëtarja Eneda Tarifa është kthyer në kryefjalën e mediave rozë. Gjithçka nisi kur u publikuan disa foto të saj me basketbollistin Gent Lasku, ku shfaqej duke u përqafuar dhe duke pirë verë.
Duket se tashmë këngëtarja ka rigjetur sërish dashurinë katër vite pas ndarjes nga ish-bashkëshorti i saj, Erjon Zaloshnja, me të cilin ka edhe një vajzë.
Fotot e Endedës ku shfaqej në krahët e basketbollistit Gent Lasku në një lokal duke u përqafuar, bënë xhiron e rrjetit. Në një moment shihet se sportisti e puth edhe në ballë këngëtaren dhe dyshja duken shumë të lumtur krah njëri-tjetrin dhe kanë dalë hapur publikisht për herë të parë.
Genti Lasku është një basketbollist profesionist, i cili luan për klubin e Tiranës në Superligën Shqiptare të Basketbollit si dhe Kombëtaren e Shqipërisë. Teksa të shumtë e njohin për sportist, pak dihej për jetën e tij private.
Bëhet me dije se Genti nuk ka shumë kohë që është ndarë nga bashkëshortja e tij, me të cilën ka tre fëmijë. Duket se ndarja mes tyre nuk ka qenë aspak e lehtë, megjithatë kjo histori tashmë është mbyllur për të nisur një tjetër raport, këtë herë me artisten e njohur.
Gjithashtu, në vitin 2021, ai është përfshirë në politikë. Ai kandidoi si deputet nën logon e Bindjes Demokratike të Astrit Patozit në zgjedhjet parlamentare, por nuk arriti të fitojë mandat.
“Genti Lasku, një kampion race në ekipin e Tiranës. Ai ka një vizion të qartë politik dhe eksperiencën e duhur në administratën publike dhe në sipërmarrjen privat për të nisur një rrugëtim të ri. Sekretar i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Shpëtimit të Jetës në Ujë, Genti mendon se sot ka ardhur dita të angazhohet fort në funksion të projektit tonë, që synon mbi të gjitha ndryshimin e ambientit politik në Shqipëri. Të nderuar dhe krenarë që në këtë sfidë të bukur kemi në vijën e parë të sulmit një kampion si Genti”, kështu e prezantoi Patozi në atë periudhë.
Këngëtarja dhe muzikanti Erjon Zaloshnja, të cilët janë dhe prindër të një vajze, kishin 18 vite së bashku, kur vendosën t’i jepnin fund marrëdhënies së tyre në vitin 2018. Erjon Zaloshnja, në fillimet e njohjes kur e pyesnin për Enedën, shprehej: “Ajo është muza ime”.
Ishte janari i vitit 2017, kur këngëtarja u nda nga banda e bashkëshortit të saj në club-in “Rock Stock” dhe që nga ajo periudhë Eneda Tarifa nuk u pa më nën shoqërinë e ish-partnerit të saj.
Ajo ishte vetëm 17 vjeçe kur nisi historinë e dashurisë me kompozitorin e këngëve të saj të para, që ishte disa vite më i madh se ajo. Por çfarë thoshte Tarifa pas divorcit nga ish-partneri?
E ftuar në “ABC e Pasdites”, rreth një viti më parë, ajo u shpreh se në një mënyrë a një tjetër e konsideron dështim çdo lidhje që ka shkuar në martesë e më pas në divorc.
“Nuk do doja të martohesha më, por jo sepse nuk e dua martesën si institucion. Unë mendoj që asnjë marrëdhënie që ka shkuar deri në martesë nuk duhet të mbarojë sepse është një trishtim, martesa sjell gjëra të mira, familjen, rritjen e fëmijëve, pa mungesë të të dy prindërve. Edhe pse kur prindërit ndahen mundohen t’ia plotësojnë të gjitha, por kur je në të njëjtën shtëpi është tjetër”, deklaronte ajo.
Por gjatë intervistave të dhëna pas ndarjes, Eneda Tarifa ka treguar gjithmonë se me ish-bashkëshortin ruante marrëdhënie të mira shoqërore dhe të dy kujdesen në mënyrë të barabartë për vajzën e tyre.
“Marrëdhënia jonë është tepër e mirë shoqërore. Kujdesemi për vajzën në mënyrë të barabartë dhe sigurisht në eventet e saj më të rëndësishme ne jemi atje që të dy”.
Disa muaj më parë, këngëtarja festoi dhe 40-vjetorin mes miqve të saj. Ajo tregoi se kjo etapë ka qenë edhe një moment reflektimi dhe vlerësimi për veten, por për martesën nuk mendonte të njëjtën gjë si tani.
“Ndodhi një reflektim i madh me veten time, patjetër dhe refleksionet ishin të tipit; që ta shijoj pak më shumë atë që bëj, pak më pak vrull se çdo gjë bëhet. Pak më shumë vlerësim për veten. Kam humbur kohë me ata që s’duhej”, tha ajo asokohe në një intervistë në “Abc e Pasdites”.
Ndërsa për jetën private, ajo u shpreh se pas divorcit nuk i thotë “Jo” martesës, nëse “dashuria i vjen”.
“Mendoj që të flasësh për martesa, fejesa, bashkëjetesa është e kaluar për mua. Po të jap një përgjigje shumë koncize; do ta marr jetën si të më vijë. Po erdhi, le të vijë. Bujrum, derë e hapur”, tregoi Eneda.
Gjatë një rubrike të emisionit “5 minuta”, ajo u pyet nëse do të dëshironte një fëmijë të dytë dhe këngëtarja pohoi duke thënë thjesht “Po”.
Kujtojmë se Eneda Tarifa mori një pauzë nga daljet e saj televizive dhe i është përkushtuar plotësisht pasionit të saj, muzikës. Artistja ishte e ftuar disa javë më parë në “Live From Tirana”, ku foli për projektin e saj më të ri, i cili do të shënojë dhe kulmin e karrierës së saj muzikore.
Prej kohësh, artistja nuk ka dhënë asnjë intervistë dhe kjo për faktin sepse ‘e shpërqendrojnë nga puna e saj’.
“Unë kam marrë një periudhë pauze nga intervistat sepse më shpërqendron nga puna ime individuale krijuese për të finalizuar nga prilli ose maji, ëndrrën e çdo këngëtari, një recital. Është kurora e gjithë karrierës tënde. Ne këtu i kemi si recitale jete, sepse është pak më e rrallë. Tani vjen fundviti dhe nuk kam ndërmend t’i lë festat ku do të thirrem për të performuar, por do përzgjedh që të mos kem lodhje fizike sepse dua të marr energjitë për recitalin”, u shpreh Eneda.