Gazetarja Klodiana Lala ka zbardhur detaje të tjera në lidhje me vrasjen e Klaudio Prendit, djalit të ish-gjyqtarit, Fran Frendi. E ftuar në rubrikën “Opinion” në News24 Lala tha se autorët kanë pritur viktimën rreth 1 orë, në një distancë 200-300 metra, ndërsa e kanë qëlluar me 7 plumba, 3 prej të cilëve i kanë marrë jetën. Gazetarja shtoi se pas krimit, ata kanë kaluar në Shkozë dhe makinën e kanë djegur në Farkë, ku nuk kishte asnjë kamera sigurie. Sipas gazetares, atje i prisnin edhe dy automjete të tjera.
“Klaudio Prendi dy orë para se të vritej, ishte duke pirë kafe me 3 punonjës policie, në një lokal që është 24-orësh. Detaji më i ri është që autorët e ngjarjes e kanë pritur 1 orë, pra automjeti i tyre ka qëndruar 200-300 metra larg automjetit të parkuar të Klaudio Prendit. Ata e kanë pritur derisa ai ka dalë nga kafja, ka kaluar rrugën, ndërsa më pas ka hipur në makinën e tij. Në ato momente autorët e dyshuar janë afruar nga krahu i kundërt dhe e kanë qëlluar me 7 plumba, 3 prej të cilave i kanë shkaktuar vdekjen. Punonjësit e policisë kanë qenë jashtë detyre, megjithatë njëri prej tyre është vënë në ndjekje të autorëve, ndërsa dy të tjerët kanë tentuar t’i japin ndihmën e shpejtë, edhe pse nuk ia kanë dalë, pasi Klaudio arriti në spital pa shenja jete,”- tha gazetarja.
Klaudio Prendi, djali i ish-gjyqtarit Fran Prendi, u vra me breshëri plumbash vetëm pak pas mesnatës së 18 nëntorit, fill sapo doli nga një lokal që ndodhej me miqtë e tij në zonën e Xhamllikut. Sapo po hipte në mjetin e tij, autorët kanë qëlluar. I riu mori plagë në kokë dhe në gjoks, të cilat rezultuan fatale për të, edhe pse miqtë e tij e dërguan menjëherë në spital./gazetajone