Vrasja e Eduart Reçit tashmë ka dy autorë, vvëllezërit Shkëlqim dhe Florian Duka. Gazetarja Anila Hoxha tha për “Top Story” se viktima disa javë para ngjarjes, kishte njoftuar oficerin e zonës duke i thënë se do të takohej me dy vëllezërit, dhe se nëse nuk kthehej, atëherë i kishte ndodhur diçka.

Efektivi i Policisë së Shtetit, Shkëlqim Duka, së bashku me të vëllanë Florjan Duka janë vendosur në pranga për vrasjen e biznesmenit Eduart Reçi. Hetimet zbuluan se viktima kishte pasur një konflikt mbi pronësinë e truallit të ndërtimit, që ndodhej pranë pronës së vëllezërve. Fillimisht viktima ishte takuar me dy autorët disa herë dhe kanë pasur disa diskutime me këtë çështje. Por nuk kishin pasur dakordësi. Për këtë shkak, dy vëllezërit vendosën që ta ekzekutonin biznesmenin. Dëshmia e dy vëllezërve ende nuk është zbardhur, por mendohet se ka qenë Shkëlqim Dukaj, personi që ka qëlluar me armën e zjarrit, të cilën e kishte pajisur edhe me snajper.

52-vjeçari u qëllua me armë zjarri mbrëmjen e 13 nëntorit teksa po kthehej në banesë, pikërisht pranë disa pallateve që i kishte ndërtuar vetë. Ish-drejtori i SHISH ishte i vetëm dhe mesa duket, autori e ka ndjekur për një kohë të gjatë dhe ka përfituar nga momenti kur e ka gjetur të ‘pambrojtur’ për ta sulmuar me armë zjarri. Madje raportohet se në momentin kur u qëllua, Reçi ishte duke folur në telefon. Edhe pse mori një plumbë në kokë, 52-vjeçari luftoi me vdekjen në spitalin e Traumës, por nuk ia doli që të shpëtonte dot./gazetajone