Nga Ola Xama
Nuk besoj se ka njeri në Shqipëri që beson “Shëndetësinë falas” që u premtua në fushatën e socialistëve në vitin 2013. Që një shërbim të jetë falas, duhet që të mos paguash taksën. Të paguash sigurimet shëndetësore dhe të marrësh shërbimin, nuk quhet falas.
Por pavarësisht se taksat e derdhura për këto kontribute janë shtuar ndër vite, shërbimi mjekësor ka mbetur në të njëjtat nivele, diku mund të ketë patur ndonjë përmirësim, por në dhënien e shërbimeve të domosdoshme dhe jetike skemat e zhvatjes vazhdojnë.
Për ta kuptuar: Në vitin 2012 sipas të dhënave zyrtare janë paguar 65 milion euro taksa në formën e kontributeve të sigurimeve shëndetësore. Në vitin 2013 janë paguar 74 milion euro, ndërsa në vitin 2023 janë derdhur 188 milion euro. Këtë vit të ardhurat nga kontributet projektohet të kapin vlerën 204 milion euro.
Nëse në vitin 2013 defiçiti i skemës ishte më i thellë, ku shteti paguante 4.3 herë më shumë se kontributet e derdhura, sot ky raport është ngushtuar në 2.9. Defiçiti mund të ishte dhe më i ulët nëse do të rishikoheshin shpenzimet për koncesionet në shëndetësi, të cilat kapin një vlerë vjetore pagesash prej 54 milion euro.
Ndaj, shëndetësia falas është propaganda që kamufloi skemat zhvatëse të koncesioneve në shëndetësi dhe orientoi një pjesë të mirë të shërbimeve drejt atij privat. Por në situatën ku ka mbërritur sot ky sistem, duket se zgjidhja e vetme është braktisja e politikave të gabuara që janë marrë deri më sot dhe nisja nga e para.
Modeli kur lejohet shërbimi privat, aplikohet në ato shtete që njohin dhe paguajnë një pjesë të kostos së vizitës ose mbulojnë gjithë shpenzimin e një operacioni jetik, në të kundërt abuzimet nisin dhe lulëzojnë. Nëse nuk ka fonde për mbulimin e këtyre kostove, atëherë mbylle sistemin privat. Vetëm shërbim publik!
Nuk ka kuptim të shpiken operacione dhe analiza për të zhvatur paratë, që ndonjëherë në emër të tyre të kushtojnë shëndetin e në raste të tjera jetën. Nuk ka kuptim të mungojnë ilaçet në spital se nuk bëhen tenderat nga frika se KLSH konstaton shkelje, por për çdo gjë tjetër shpikim emergjencë. A ka emergjencë më të madhe se t’i shpëtosh jetën një pacienti?
Nuk ka kuptim që kur shkojmë të bëjmë vaksinën për fëmijën, mjeku publik të na këshillojë ta blejmë në privat sepse rrezikohet temperaturë e lartë. Nuk ka kuptim të shkruhet medikament tjetër në recetë, por të rimbursoher vetëm një emër i caktuar sepse tentohen të kursehen para, ndërsa paguhen analiza fiktive të check up-it! Nuk ka kuptim të paguajmë për vepra publike që nuk ekzistojnë dhe mos shpëtojmë jetë njerzish në vështirësi që kërkojnë mbështetje për kurim në platformat ‘Go Fund Me’…
Ngjarja që na zbuloi hetimi i prokurorisë na ka zemëruar të gjithëve, sepse sistemi i zhvatjes ka thyer jo vetëm rregullat logjikë dhe financiarë, por dhe tiparin dallues të qënies njerëzore: humanizmin!
Ndaj unë nesër (26 qershor, ora 19:00) do të dal të protestoj për t’i kërkuar përgjegjësi çdokujt që ka patur gisht, ka zgjedhur të mbyllë sytë dhe nuk ka vepruar për vite me radhë, duke lejuar kalbjen e sistemit të shëndetësisë dhe shkaktuar krime të rënda në jetë njerëzore!
Po ashtu do të falenderoj çdo bluzë të bardhë që është përkushtuar për të punuar me përgjegjësi e sakrificë dhe nuk ka braktisur vendin duke na shërbyer në momente të vështira.