Gent Sejko “peng” i bandave të mikrokredisë, BSH nuk i heq lincencën Micro Credit Albania që ka shkatërruar dhjetëra familje me skemat mafioze

Pas një periudhe 1-vjeçare të pezullimit të aktivitetit të kredidhënies, Banka e Shqipërisë ka vendosur të zgjasë edhe me 6 muaj të tjera pezullimin për subjektin financiar jobankë “Micro Credit Albania”, deri më 30 qershor 2024.

MCA është licencuar nga Banka e Shqipërisë për të dhënë kredi në maj të vitit 2016. Por për shkak të shkeljeve të evidentuara gjatë ekzaminimeve në vend, vitin e kaluar Banka e Shqipërisë vendosi pezullimin e ushtrimit të aktivitetit të kredidhënies për “Micro Credit Albania” deri në datën 31 dhjetor 2023. Sipas vendimit, gjatë kësaj periudhe subjekti duhet të kishte marrë masa për adresimin e plotë të të gjitha mangësive dhe rekomandimeve të evidentuara në raportin e ekzaminimit.

DOSJE KRIMINALE/ Si e rrënuan familjen Dylgjeri ProCredit Bank dhe Micro Credit Albania përmet mashtrimit

Departamenti i Mbikëqyrjes pranë Bankës së Shqipërisë, në muajt nëntor-dhjetor 2023, kreu një ekzaminim tjetër të plotë të këtij subjekti, me qëllim vlerësimin e situatës pas masës së pezullimit 1-vjeçar të aktivitetit. Ekzaminimi evidentoi se gjatë periudhës njëvjeçare, subjekti nuk ka blerë apo nuk ka aprovuar kredi të reja, por është angazhuar në rikuperimin e portofolit ekzistues. Gjatë kësaj kohe janë adresuar një pjesë e vogël e rekomandimeve të ekzaminimeve të mëparshme, ndërkohë që janë evidentuar përsëri shkelje të kërkesave rregullatore.

Gent Sejko "peng" i bandave të mikrokredisë, BSH nuk i heq lincencën Micro Credit Albania që ka shkatërruar dhjetëra familje me skemat mafioze
Gent Sejko “peng” i bandave të mikrokredisë, BSH nuk i heq lincencën Micro Credit Albania që ka shkatërruar dhjetëra familje me skemat mafioze

Ndër më kryesoret, Departamenti i Mbikëqyrjes ka vlerësuar: dhënien e informacionit të pasaktë dhe jo të plotë në raportime periodike, në regjistrin e kredive dhe gjatë ekzaminimit në vend, paraqitjen e pasaktë të gjendjes financiare, (mos)klasifikimin e klientëve sipas kërkesave rregullatore për rrezikun e kredisë, mangësi të elementeve të transparencës gjatë plotësimit të akt-marrëveshjeve me klientët, etj.

Pas këtyre konstatimeve, BSH ka vendosur të zgjasë edhe me 6 muaj të tjera pezullimin e ushtrimit të veprimtarisë së kredidhënies (përfshirë këtu edhe blerjen e kredive të reja, apo ristrukturimin e atyre ekzistuese), për të cilën është licencuar subjekti financiar jobankë “Micro Credit Albania” deri në datën 30.6.2024.

Sipas vendimit, gjatë kësaj periudhe, subjektit “Micro Credit Albania” i lejohet vetëm të shesë portofolin e kredive tek palë të treta, të licencuara nga Banka e Shqipërisë për të ushtruar këtë aktivitet, të reflektojë menjëherë në ulje të detyrimit të klientit çdo pagesë të detyrimit nga ana e tij duke bërë dhe përditësimet përkatëse në Regjistrin e Kredive.

Grabitje pronash
Historia zë fill në vitin 2015. Në atë kohë Banka e Shqipërisë ndryshoi rregulloren e kredive duke i hapur rrugën shitjes së kredive të këqija që ndodheshin nëpër banka.

Menjëherë pas këtij ndryshimi lindën kompanitë e borxheve të këqija si Tranzit, Final apo Microcredit. Të treja këto kompani blenë portofole të mëdha kredish të këqija nga bankat dhe institucionet e tjera financiare si Noa, me një çmim që luhatet rreth 8 deri në 10 për qind të vlerës së detyrimit të pashlyer.

Të dhënat e përafërta tregojnë se gjatë këtyre viteve në Shqipëri janë shitur mbi 100 mijë kredi të këqija. Kapitali.al ka gjurmuar se të paktën 3 mijë prej tyre kanë përfunduar në ekzekutime tituj pronësish. Pjesa dërrmuese e tyre janë kredi konsumatore me shuma të vogla detyrimi. Pra qytetarëve u janë marrë pronat që vlejnë dhjetëra milionë lekë për një kredi 100 mijë lekëshe.

Ekzekutimet

Pas blerjes së kredive nga bankat, Micro Credit ka ngarkuar të tjera kosto mbi debitorët. Disa prej tyre kanë lidhur marrëveshje dhe kanë paguar para shtesë me këste, por për shumë kostot janë rritur aq shumë saqë kredia nuk mbaron asnjëherë. Më pas fillon mekanizmi i ekzekutimit të pronave.

Ligji shqiptar parashikon se pas nxjerrjes së urdhrit nga gjykata dhe ekzekutimit përmbarimor, prona e sekuestruar nxirret në ankand për tre raunde. Në ankandin e parë, prona nxirret me çmim 80 për qind të vlerës së përcaktuar nga vlerësuesit privat. Por në ankandin e tretë ajo përfundon me 10 për qind sipas .kapitali.

Nëse edhe në ankandin e tretë nuk paraqitet asnjë blerës, atëherë prona kalon në pronësi të kreditorit, që në këtë rast është Micro Credit Albania.

Një tango treshe

Sipas dokumentave që ka mundur të shohë Kapitali.al, thuajse të gjitha procedurat përmbarimore janë kryer nga dy përmbarues. I pari është Fatos Alimadhi, i cili ka nxjerrë urdhrat e sekuestrimit, ndërsa përmbaruesi i dytë është Rigels Bejko, i cili ka shpallur ankandet, që më pas kanë përfunduar në regjistrimin e pronave për llogari të Micro Credit.

Shumë nga ata që kanë humbur pasuritë pretendojnë se nuk janë njoftuar fare për ankandet. Por zoti Bejko thotë se ai ka zbatuar të gjitha kërkesat e parashikuar nga ligji.

“Për të gjitha ankandet është bërë afishimi në Bashki. Debitorët që pretendojnë se nuk janë njoftuar kanë të drejtë të shkojnë në gjykatë dhe të kërkojnë pavlefshmërinë e veprimeve përmbarimore,” thotë Bejko.

Sipas tij, debitorët kanë gjithmonë mundësinë që të rimarrin pronën nëse shlyejnë detyrimet. “Qëllimi ynë nuk është të shkaktojmë kosto sociale. Debitorët mund të vijnë në çdo kohë të rimarrin pronat, nëse shlyejnë detyrimin” vijon ai.

Dhe zoti Bejko thotë se jep garanci për këtë, pavarësisht se titujt e pronësisë nuk i përkasin studios së tij përmbarimore, por kompanisë Micro Credit Albania.

Organizatë …

Micro Credit Albania është një kompani kontroverse. E themeluar në maj të vitit 2014, kompania zotërohet 100 për qind nga Elda Ibro. Por mastermindi pas kompanisë, për shumë njerëz është bashkëshorti i saj, Olsi Ibro.

Në shkurt të vitit 2020, Ministria e Drejtësisë i percolli Prokurorit të Pergjitshëm një kallëzim 700 faqë për një rrjet kompanish në fushën e mbledhjes së borxheve.

Ne kallëzim, ish ministrja Etilda Gjonaj i kërkonte Olsian Celes ushtrimin e ndjekjes penale për veprën e mashtrimit me pasoja të rënda, shpërdorimit të detyrës dhe përvetësimit të detyrës shtetërore për kompanitë Micro Credit Albania, Albanian Debt Consulting Agency, shoqerinë përmbarimore ZiG, personin juridik FS dhe personin juridik Flash.

Në dosje ministrja e Drejtësisë kallëzoi dhe emrat që qendronin pas këtyre kompanive, ku më kryesorët janë Olsi Ibro, Elda Ibro, Arben Meskuti, Andis Gjoka, Ernela Cuberi, Indrit Cuberi e shumë të tjerë. Sipas dosjes, këta persona kishin ngritur një skemë të madhe kriminale ne formën e organizatës së strukturuar duke zhvatur mijëra qytetarë shqiptarë përmes mashtrimit dhe shantazhit.

Çfarë ka ndodhur gati 4 vjet pas kallëzimit? Praktikisht asgjë. Tani e njëjta kompani e kallëzuar nga Ministria e Drejtësisë si organizatë kriminale, tashmë po tjetërson mijëra prona të qytetarëve. Pa dijeninë e tyre. Por me dijeninë e plotë të Bankës së Shqipërisë, qeverisë dhe SPAK-ut.