Detaje të reja janë zbardhur nga operacioni i antidrogës në vendin tonë i realizuar nga Prokuroria e Posaçme dhe Policia e Shtetit. Mësohet se SPAK ishte në dijeni të lëvizjeve të grupit kriminal, por i lanë ata të veprojnë të lirë.

Grupi kriminal ka arritur të sjellë dy ngarkesat e fundit në shtator dhe në nëntor, ku në vendin tonë u transportuan 48 ton lëkurë gjedhi, të cilat përmbanin kokainë brenda.

SPAK i ka lënë ata të veprojë të lirë, pasi kishte si qëllim të gjurmonte deri në fund lëvizjet e grupit dhe anëtarët e tij.

Ndërsa më 15 nëntor SPAK në bashkëpunim me autoritetet spanjolle dhe me Policinë e Shtetit ndërhynë, ku u arrestuan 10 persona, 7 shqiptarë dhe 3 nga Amerika Latine.

Sipas Prokurorisë së Posaçme në më shumë se 1 vit hetime është zbuluar se grupi bashkëpunonte me organizata kriminale në Amerikën Latinë për të trafikuar drogë në Shqipëri.

Ndryshe nga droga e fshehur në fruta, kokaina e këtij grupi vinte e kamufluar në “lëkurë gjedhi të kriposur”. Në Shqipëri, “laborantët” e përpunonin duke e kthyer në gjendjen e saj fillestare për ta transportuar më pas në vendet e Bashkimit Europian.

Përveçse në Krujë dhe në një nga zonat më të lakmuara të Tiranës, struktura e grupit përfshinte shtetas nga disa qytete të vendit që kishin role të mirë përcaktuara. Disa ishin financues, disa transportues, përpunues, të tjerë shpërndarës.

Por përpunimin e drogës ia kishin besuar 3 personave nga Amerika latine, që mesa duket ishin “ekspertët” që garantonin suksesin teknik të operacionit. Aftësia e tyre për të ekstraktuar kokainën nga materiale organike, si “lëkurat e bagëtive” e kthente drogën e papërpunuar në një produkt të gatshëm, të cilësisë së lartë. Edhe pse laboratori ishin me qendër në Qerekë, grupi kishte edhe zona të tjera ku strehoheshin, një pranë aeroportit më të madh të vendit, dhe një tjetër portit të Durrësit. Të dyja lokacione që u siguronin një qasje të shpejtë në tregjet kombëtare dhe ndërkombëtare.

Nga aksioni, SPAK ka sekuestruar 48 ton (rreth 850 lëkurë gjedhi) lëndë narkotike e importuar nga Amerika Latine në shtator dhe nëntor 2024; 6.1 kg kokainë; dhjetra mijë euro dhe 22 telefona celularë, 2 laptopë dhe 17 karta SIM.

Në këto të fundit, pritet që SPAK të grumbullojë edhe më shumë informacione për kontaktet e grupit. Detaje këto që mund të zbërthejnë një grup akoma më të madh kriminal.