Shqipëria e vitit 1991, sapo kishte dalë nga disa dekada izolim total nën regjimin komunist. Disa fenomene që njiheshin pak ose aspak, nisën të shfaqeshin hapur. Ata që njiheshin si djem problematik në komunizëm, u shndërruan në të fortë të lagjeve në demokraci. E më tej, këta të fortë u shndërruan në kryesues të grupeve kriminale që po kalonin nga veprat ordinere, te trafiqet e më gjerë .
‘Njerëz që e presin demokracinë dhe mundohen ti përshtaten rregullave të reja që krijon shoqëria sic është ekonomia e lirë e tregut, barazia para ligjit por edhe liritë që shoqërojnë individin që nëse nuk e kupton mirë demokracinë futet në rrugë që dikush vritet dikush sharrohet’ u shpreh ish-prokurori, Shkëlqim Hajdari
Djemtë e rinj me karakter problematik, nisën të organizoheshin në grupe të identifikuar sipas lagjeve. Kështu, kishim djemtë e rrugës Bardhyl, Djemtë e stacionit të Trenit, ata të Rrugës së Kavajës etj. Ata, kishin ambicie të madhe për lavdi dhe autoritet në zonat e tyre. Ishte mjaft herët për të folur për nivelet e krimit që njohim në ditët e sotme. Krimet e para të tyre, ishin kryesisht ngjarje banale. Ata, e konsideronin veten si mbrojtës të komuniteteve në lagjet e tyre.
‘Nuk kanë qenë vetëm 2 banda të ashtuquajturat kjo e restorant Durrësit dhe e rrugës Bardhyl. Ka patur edhe shumë banda të tjera në Tiranë që pak është thënë. Ka patur grupe shumë të fuqishme rruga e Elbasanit, zona e Ali demit, rruga Rardhyl, ish restorant Durrësi, Tirana e Re, selita, kombinati dhe kemi Babrrunë të gjitha këto kishin grupet e tyre. Grupe të cilat ishin në një territor të caktuar me begraundin e tyre kriminal. Vetëm në grupet e rrugës së Elbasanit nga viti 1991-1996 ne kemi 24 persona, djem të rinj të vrarë. Vriteshin për një motorr, për një biçikletë, për një lojë për një borxh për ngacmim të një vajze’ u shpreh profesori i kriminologjisë, Ervin Karamuço
Dy nga zonat më të rrezikshme për popullatën në atë kohë ishin Rruga Bardhyl dhe ish restorant Durrësi. Në këto lagje, u evidentuan grupet e para dhe më të forta të Tiranës që ishin në rivalitet mes tyre. Grupet kryesoheshin nga Gaz Muça i Rrugës Bardhyl dhe Naim Zyberi i ish restortant Durrësit.
‘Ishin dy fenomene të dy lagjeve, që në lagjet e tyre ishin të parët kuptohet që gjelat e lagjeve do të shkonin në përplasje dhe përplasja ishte fatale’ u shpreh Shkëlqim Hajdari, ish-prokuror
‘Unë e kisha parë vetë Gazmend Muçën hipur mbi një kalë dhe që ecte rrugëve, mes rrugës Bardhyl dhe rrugës së spitaleve. Bashkë me moshatarët e mi thoshim ç’është ky djalë simatik i bukur i pashëm dhe që ecte serbes dhe si bënte syri tërrc’ u shpreh gazetari, Roland Qafoku
Sipas dëshmive të atyre që kanë jetuar zhvillimet e asaj periudhe tranzicioni, Tirana e viteve të para nuk kishte banda të mirëfillta, por grupe “të fortësh” me autoritet brenda lagjeve të tyre. Disa të ashtuquajtur “gangësterë” të parë të demokracisë, nisën të mbledhin rreth vetes djem problematik për të krijuar grupet e tyre. Këto formacione shoqërore, më shumë kishin si qëllim që të tregonin “burrërinë”, forcën e tyre, sesa të merreshin me trafiqe apo krime të sofistikuara.
‘Unë e them edhe sot që Gaz Muça nuk mund të ishte bandë për Shqipërinë e asaj kohe. Ai pas 20 viteve mund të bëhej bandë por ky është hamendësim. Tirana funksiononte me të fortët e lagjes dhe cdo lagje kishte të fortët e saj dhe gaz muça ishte më i forti i të fortëve’ u shpreh gazetari, Roland Qafoku
‘Nuk mund të quheshin organizata kriminale në atë kohë ishin thjeshtë grupime deri në ‘90 quheshin për akte vagabondash e pastaj filluan të ishin grupe me veprimtari kriminale në bashkëpunim e pastaj u bënë grupe të strukturuara e pas viteve 2000 këto mund të quhen organizata të mirëfillta kriminale’ u shpreh profesori i kriminologjisë, Ervin Karamuço
Gazmend Muça ishte dënuar që në kohën e monizmit për vjedhjen e një kali. Kjo, do të ishte dita kur do të ndryshonte një herë e përgjithmonë jetën e Gaz Mucës por edhe e familjes së tij. Mbi të gjitha, brumosja në burgun e komunizmit po përgatiste një “të fortë” për regjimin e ardhshëm. Një personazhi të fortë, që sot duket e cuditshme se si ka nisur karrierën e krimit me një vepër ordinere.
‘Më vonë u morr vesh që ky djalë kishte përfunduar në qeli. Kishte marrë një kalë në një fermë në Sauk. E ksihte si hobi të tij kalin. Kishte shkuar te ferma Gjergj Dimitrovi mernin nga një kalë dhe bënin xhiro nëpër Tiranë dhe I kthente kuajt. Por cafrë ndodhi një ditë te rruga e elbasanit kali i tij rrëshket dhe bie në rrugë dhe e shtyp një makinë dhe grodh kali. Këtu atë e arrestuan dhe e dënuan dhe ka qënë në burgun e Spacit.’ u shpreh gazetari, Roland Qafoku
Muça u izolua të vuante dënimin në burgun famëkeq të Spaçit. Birucat e mbushur kryesisht me të dënuar politikë, ndikuan tek ai për t’i shtuar dozat e trimërisë dhe natyrës kryeneçe.
‘Atje ai e forcoi atë pjesën të të qënit i fortë i Tiranës. Pas viteve 90 rrëzimi i komunizmit, dalja e tij nga burgu i Spacit atij i dha një emër të ri dhe në të gjithë lagjen mbi rrugën Bardhyl dhe nënë të ai ishte Gaz Muça i forti i lagjes’ u shpreh gazetari, Roland Qafoku
Gaz Muça do te ishte një nga emrat e parë që do të lakoheshin si të fortët e Tiranës. Emri i tij, përhapte frikë por në lagje, respektohej dhe kishte reputacion. Gazi i rrugës Bardhyl shpesh ndihmonte të varfrit me paratë që grabiste nga bizneset apo gjobat që u vendoste.
‘Ndihmonte të varfërit ishte bërë një Robin Hood në atë kohë dhe ju merrte këtyre tregtarëve , kaloriferët sapo kishin ardhur ua merrte dhe i shpërndante në lagje. U bë problem për biznesin e vogël në atë kohë, po ashtu edhe me gjobat që kishin filluar të vinin, droga skishte ardhur akoma…’u shpreh profesori i kriminologjisë, Ervin Karamuço
‘Gazmend Muça ishte i famshëm në bllokun e pallateve të veta ku banonte dhe në Tiranë. Ai ishte një llojë Robin Hood pra ishte ndryshe nga kriminelët sot që ne e vizatojmë që di të vrasë e të presë. Nuk e kishte mendjen Gaz Muça të vriste e të priste ai kishte mendje të shprehte fuqinë e tij fizike dhe pamjen’ u shpreh gazetari, Roland Qafoku
Grabitja ordinere që ndezi luftën mes dy padrinove të kryeqytetit
Në periudhën mes viteve 1991-1992, u krijua edhe grupimi i dytë i madh në Tiranë që shtrinte influencën nga stacioni i trenit deri te ish restorant Durrësi. Në krye të grupit ishte Naim Zyberi. Rreth tij, emrat më të spikatur të grupit ishin vëllezrit Hasa, Keta dhe Franc Konomi. Naim Zyberi ishte me origjinë nga Kukësi. Ashtu si Gaz Muça, kishte vuajtur dënim në burgjet e komunizmit. Ai u lirua me amnistinë e vitit 1991, që nxorri në liri të dënuarit politik apo ata për krime të lehta.
Sipas disa dëshmive në fund të viteve 80’, Naim Zyberi ishte konfliktuar me Gaz Muçën. Ky i fundit e kishte sulmuar me thikë, por Naim Zyberi kishte refuzuar të kallëzonte në polici agresorin. Ndërkohë që një pjesë tjetër e dëshmitarëve të kohës, shprehen se këta dy persona nuk kishin patur asnjëherë ndonjë problem me njeri tjetrin. Veç egos që të tregonin se kush ishte më i fortë.
‘Mua nuk më rezulton që Gazmend Muça kishte konflikt me këta. Konflikti i vetëm ishte që Gaz Muça ishte një i fortë në Tiranë dhe këta ja kishin frikën’ u shpreh gazetari, Roland Qafoku
Gaz Muça dhe Naim Zyberi do të përfshiheshin në një hasmëri të egër mes tyre. Vrasje brutale që do të zhvendoseshin edhe jashtë Shqipërisë. Gjeneza e konfliiktit ishte një grabitje ordinere.
Në Mars të vitit 1992, Taulant Muça i merr me forcë motorrin një djali të zonës pranë ish restorant Durrsit. Taulanti, ishte vëllai i vogël i Gaz Muçës. Episodi kishte si dëshmitar një prej gangësterëve të zonës, Franc Konomin, që ishte krahu i djathtë i Naim Zyberit. Ai, vendosi të reagojë për të vënë në vend nderin e grupit të tij, që e konsidronte veten mbrojtëse të zonës. Konomi dhunon vëllain e të fortit të “Rrugës Bardhyl” dhe i kërkon që të mos kthehet më aty.
‘Ai kishte një vëlla që për hir të së vërtetës herë pas here i thoshte ore ti do ma hash kokën mua… e dinte gjithë lagjia këtë, ai ishte capkën i hedhur nuk ishte natyra e Gazit’ u shpreh gazetari, Roland Qafoku
Nuk u mësua asnjëherë nëse Taulant Muça i tregoi vëllait të tij, Gazit, për këtë incident. Pavarësisht kësaj, tensioni mes dy grupeve u rrit.
‘Naim Zyberi, Franc Konomi dhe të gjithë personazhet e tjerë e kishin frikë thjeshtë se ishte i fortë. Ndodhi një incident historia e famshme e një pëllëmbe ndaj Taulantit dhe fakti është që Taulanti kurre nuk i tha Gazit që ai më qëlloi me pëllëmbë por këta kishin frikë se ai do tja kishte thënë dhe se ai tani do na bëjë ndonjëgjë ne dhe nga kjo erdhi vrasja’ u shpreh gazetari, Roland Qafoku
‘E gjithë’ Tirana në funeral, ish-prokurori: Kqyra vendngjarjen e vrasjes së Gaz Muçës dhe…
Naim Zyberi mendoi që do të ishte më mirë që në vend të pritjes së hakmarrjes të sulmonte i pari. Kështu vetëm pak ditë më vonë, në 7 prill 1992 Gaz Muca do të ekzekutohej në mes të Tiranës.
Në zonën e Xhamllikut afër shtëpisë së tij, Gaz Muça po pinte kafe në një lokal të sapo hapur. Befas përpara lokalit ndalon furishëm një veturë. Gaz Muça e kupton mënjëherë se shënjestra ishte ai. Por nuk ka kohë të veprojë, një breshëri të shtënash vijnë në drejtim të tij. Djemtë e restorant Durrsit zbrazin deri në fund automatikët e tyre.
‘Kam qënë në kqyrjen e vendit të Gaz Muçës dhe kishte një sasi të madhe gëzhojash të hedhur mbi trupin e tij saqë dukej si i palosur gjithë ai trup i bukur ishte i sharruar nga moria e madhe e plumbave që kishte marrë’ u shpreh ish-prokurori, Shkëlqim Hajdari
Ngjarja tronditi mbarë komunitetin e Tiranës në atë kohë. Kurrë nuk ishin parë aq shumë njerëz në një funeral veç rastit të përcjelljes së diktatorit për në banesën e fundit. Vite më pas, ka qarkulluar një video nga ceremonia mortore kur merrnin pjesë shumë efektivë policie. Madje, ata krijuan formacione nderi dhe shtinë në ajër në nder të Gaz Muçës, duke u betuar për hakmarrje.
‘Ndodhi vrasja në 7 prill të 1992 një nga ngjarjet më të rënda. Sot kur vrite një kriminel një pjesë gëzohen. Unë nuk kam parë në Tiranë ndonjë varrim me atë pjesmarrje sa ai për Gaz Mucën që e cuan në tufinë. Mori pjesë gjithë Tirana pse, sepse ishte një llojë Robin Hood që e donin njerzit’ u shpreh gazetari, Roland Qafoku
‘Është një vrasje kjo që ndodhi për një motiv fare banal për një motorr që u morr nga vëllai i vetë. Ata erdhën dhe e vranë, janë dënuar në atë kohë por dolën pastaj në 97 dhe ata që e vranë Gaz Mucën u vranë’ u shpreh profesori i kriminologjisë, Ervin Karamuço.