19-vjeçarja Hygerta Meta, e cila muaj më parë së bashku me vëllezërit vranë dhe groposën në kasollen e lopës babain e tyre, Pëllumb Metën, prej më shumë se një jave ndodhet e shtruar në Spitalin e Burgjeve.

Sipas Newsbomb, e reja është nën kujdesin e mjekëve pasi ka shfaqur probleme shëndetësore. Mjekët kanë vendosur që e reja t’i nënshtrohet ekspertimit psikiatrik-ligjor me qëllim për të kuptuar nëse vuan nga problemet e çrregullimit të shëndetit mendor.

Vetë Meta, ka mbajtur qëndrime të ndryshme sa i takon vrasjes, fillimisht duke marrë përsipër krimin, dhe më pas duke e mohuar atë. Të tre fëmijët mbahen ende nën masën e sigurisë, arrest me burg, deri në përfundimin e hetimeve.

49-vjeçari Pëllumb Meta u ekzekutua më 10 shkurt në banesën e tij në fshatin Shënavlash dhe më pas tre fëmijët e tij, Hysen, Amarildo dhe Hygerta Meta e varrosën në kasolle, në tentativë për të fshehur kufomën. Ngjarja makabër u zbulua nga policia dy javë më pas, 23 shkurt, pasi djali i madh i familjes, Hysen Meta, e denoncoi të atin të zhdukur.

Të tre fëmijët e Pëllumb Metës ndodhen të arrestuar pasi djali i madh, Hysen Meta, akuzohet për “vrasje në rrethana familjare”, ndërsa Hygerta Meta fshehje dhe asgjësim të kufomës. E njëjta akuzë rëndon dhe për djalin tjetër të familjes, Amarildo Metën.