Nga Gjergj Erebara
Pesë vjet më parë, si sot, tërmeti na dha rastin të hynin në shtëpinë e shqiptarit në një zonë të gjerë, nga Durrësi në Ishëm e më tutje.
Unë e mbaj veten si njeri që di gjëra nga Shqipëria, pasi lexoj rregullisht çfarëdolloj statistike të disponueshme, ndjek lajmet e flas me njerëz kurdo që më jepet mundësia.
Në teori, bazuar në statistikat e censuseve dhe të tjera, unë e di se Shqipëria në shekullin e njëzetenjë është vendi ku një pjesë aspak e vogël e popullsisë nuk ka akses në ujë ujësjellësi (jodoemos i pijshëm, por, fjala vjen, si ky që kemi në Tiranë) e një pjesë akoma më e madhe, gati gjysma, nuk kanë akses në kanalizime të ujërave të zeza.
George Orwell, në një nga esetë e tij, thotë se kapitalizmi ka ca të mira që i përfshijnë të gjithë dhe jep për këtë dy shembuj, njëri, furnizimi me ujë të pandotur me mikrobe dhe tjetri, rrugët e ndriçuara. Vërtetë mund të jenë të pasurit ata që ndërmarrin ndërtimin e ujësjellësave, apo të rrugëve me ndriçim, por nga këto përmirësime përfitojnë të gjithë, të pasur e të varfër, thotë ai.
Kjo nuk më rezulton tamam e vërtetë kur shoh se si gati gjysma e vendit është pa kanalizime dhe shumë zona urbane e rurale furnizohen me sisteme primitive ujësjellësi apo me ujë pusi, ndërsa qeveria i harxhon paratë për të bërë ujësjellësa vetëm për 300 a 500 a 1 mijë vila pushimesh app zgjedh të shpenzojë 200 milionë euro për një tunel që të shpie te këto vila, në vend që të zgjerojë rrugën Lezhë – Shkodër.
Momenti i zbulimit të Shqipërisë reale si dhe të rëndësisë që ka sistemi i kanalizimeve të ujërave të përdorura në cilësinë e jetës jepet në këtë foto, një hale jashtë shtëpisë në një shtëpi fshati diku në Shqipërinë qendrore.
Në të vërtetë, njerëzimi e ka pasur halenë jashtë shtëpisë përgjatë shumicës dërrnuese të ekzistencës së vet deri sa dikur para disa shekujsh dikush shpiku sifonin dhe bëri të mundur që haleja të integrohet në mjediset e brendshme të banesës, për më shumë komoditet.
Pastaj, sa i përket kanalizimeve, ato thuhet se u shpikën nga persët dhe u perfeksionuan nga romakët para se arabët të kuptonin rëndësinë e ndarjes së ujërave të përdorura nga ujërat e pastra, pra, thënë shqip, që muti të mos derdhet në Lanë, në Lumin Ishëm, në det apo në liqen.
Mos mendoni se fajin për këtë e ka turku, gjermani apo komunizmi. Urbanizimi është një fenomen i kohës sonë. Nuk është as teknologjikisht sfidues. Fajin e kemi ne vetë që tolerojmë që korrupsioni të na vjedhë së paku një miliardë euro në vit dhe që rrjedhimisht, paratë e mbetura duhet të shkojnë për të siguruar ujë për pishinat e vilave dhe jo ujë e kanalizime për të gjithë të tjerët.
Kjo nuk do të ishte e mundur pa ndihmën që ne i japim hajdutokracisë. Sepse nënshtrimi ndaj korrupsionit është, në efektet që prodhon, njësoj me mbështetjen e sistemit korruptiv që na qeveris. /gazetajonë