Deputetët nuk kanë denjuar të ndalojnë dhe të bisedojnë me aktivistët e shoqërisë civile të cilët po protestojnë para hyrjes së kuvendit kundër projek-ligjit për dhënien me koncesion të Parkut Kombëtar të Butrintit.
Gazetari dhe aktivisti Aulon Kalaja tha se deputetët kishin frikë të përballeshin me protestuesit dhe prandaj hynin me makina deri në derën kryesore të kuvendit. Ai shtoi se një pjesë e madhe e deputetëve nuk e dinin se çështja e Butrintit ishte në rend dite dhe për rrjedhojë nuk e dinin as përmbajtjen e saj.
Gazetari dhe aktivisti, Aulon Kalaja: Një pjesë e madhe e deputetëve futen në parlament me makina se kanë frikë nga përballja me qytetarët. I kanë marrë votat nga ne thonë se janë shërbëtorët tanë, ndërohë që futen nga dera anësore e kuvendit. Ne nuk kemi asnjë lloj pritshmërie sepse e dimë se nuk e kanë lexuar fare marrëveshjen e Butrintit se kur i pyetëm nuk e dinin se ky projekt-ligj ishte në rend dite. Kjo qeveri po sillet si pushtuese kalash.