“Ngjitja në Everest kërkon një shumë të madhe parash, rreth 45-50 mijë Euro”, kështu është shprehur gazetarja Beti Njuma në emisionin “Part Time”. Përballë moderatores Rudina Dembacaj, Beti Njuma ka folur më shumë rreth pasionit të saj për të ngjitur malet dhe eksperiencën e saj në kampin bazë në Everest.
Rudina Dembacaj: Pse ngjitesh në male, çfarë ndjen? Çfarë kënaqësie të jep kur ngjitesh?
Beti Njuma: E kam thënë dhe do ta përsëris, është sfidë me veten, është sfidë me aftësitë dhe me mundësitë e tua. Ti kërkon të arrish aty ku të tjerët nuk munden dot. Një kënaqësi e paparë, mjafton ta provoni njëherë.
Rudina Dembacaj: Cila është ajo gjë që ke dashur gjithmonë ta provosh, por nuk ke mundur?
Beti Njuma: Gjëja që nuk besoja se do ta bëja dot ishte ngjitja në Everest deri në kampin bazë ku shkova tani dhe në momentin që arrita atje, në 5 364 metra, kur shikoja diku Everesin që ishte i fshehur pas majave aty, thosha: Po tani a do të mundem?
Rudina Dembacaj: Do të ringjiteshe?
Beti Njuma: Deri në kampin bazë jo. Është një eksperiencë që e kam bërë. Do të ishte një sfidë shumë e madhe me veten ngjitja në Everest, por kërkon disa gjëra specifike, kërkon një shumë të madhe parash.
Rudina Dembacaj: Pse duhet dhe lekë për të ngjitur male?
Beti Njuma: Duhen të paktën 45-50 mijë euro për të ngjitur Everestin.
Rudina Dembacaj: Pse? Unë nuk i dija këto.
Beti Njuma: Duhet të paguash për hyrjen në Parkun Kombëtar të Sagarmathas, pastaj duhet minimalisht 40 ditë për klimatizimin, për veshjet e veçanta.
Rudina Dembacaj: Pra, nuk është thjeshtë një hobi, por është një hobi që të merr lekë?
Beti Njuma: Është një hobi që kushton shumë.