Kuvendi i Shqipërisë ka bërë një analizë të buxhetit për periudhën janar-gusht 2024, ku sqarohet dhe llogaritet sesa kanë shpenzuar të zgjedhurit e popullit.
Shpenzimet janë të të gjitha fushave, që nga biletat e avionit, hotelet, dietat, madje dhe konferencat për shtyp.
Në total, deputetët shqiptarë kanë tejkaluar parashikimet fillestare duke harxhuar në 8 muaj 70 për qind të buxhetit total për vitin 2024.
Në krahasim me të njëjtën periudhë me vitin e shkuar, shpenzimet për rrogat dhe sigurimet shoqërore të tyre janë mbi dyfishuar.
Nga 227.4 milionë lekë në janar-gushtin të vitit 2023, këtë vit janë shpënzuar 736.4 milionë lekë për pagat e deputetëve. “Me këtë ecuri, do të duhen dhe 5-6 milion shtesë buxheti për këtë zë. Për periudhën 8-mujore janë lëshuar 105 urdhra për udhëtime jashtë shteti, për udhëtimin gjithsej të 339 persona, nga të cilët 212 deputetë, 25 staf politik dhe 122 staf administrativ,” shënon Kuvendi në raport.
Për shpenzimet që sanksionohen në Statusin e Deputetit, ku përfshihen dieta brenda vendi, shpenzime për karburant/transport, shpenzime për telefoninë, qira banese kundrejt disa kushteve si dhe honorare për pjesëmarrje në mbledhjet e komisioneve (deri në një numër të përcaktuar në vendim) janë harxhuar 235 milion lekë të reja.
Shpenzime për udhëtime jashtë shteti
Janë planifikuar 57 milion lekë për gjithë vitin 2024, ndërsa në 8-mujor rezultojnë të shpenzuara 40 milion, ose 70% e planit vjetor në këtë zë. Me këtë ecuri, do të duhen dhe 5-6 milion shtesë buxheti për këtë zë.
Për periudhën 8-mujore janë lëshuar 105 urdhra për udhëtime jashtë shteti, për udhëtimin gjithsej të 339 persona, nga të cilët 212 deputetë, 25 staf politik dhe 122 staf administrativ. Për këto udhëtime janë shpenzuar 7 milion leke dieta, 17 milion lekë bileta dhe 16 milion lekë hotel e të tjera ( si taksi, përkthim, marrje me qira auto veturë, fee pjesëmarrje).
Shpenzime për konferenca
Janë planifikuar në këtë zë 9.8 milion lekë, ndërsa janë shpenzuar në 8-mujor afro 7 milion lekë, pra 71% e buxhetit,”-shënohet në raport.
Komisionet parlamentare kanë pasur gjithashtu shpenzimet e tyre. Me kërkesë të komisionit përkatës dhe me vendim të Byrosë së Kuvendit, janë kontraktuar për ndihmë dhe ekspertizë, ekspertë të fushës. Nga 3.5 milion lekë për këto pagesa, janë shpenzuar 13 milion lekë në 8-mujor. Pra 3.7 herë më shumë se planifikimi.
“Për vitin 2024 janë ngritur dy komisione hetimore dhe një grup pune nga Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut. Komisionet hetimore kanë miratuar për të mbështetur veprimtarinë e tyre nga 4 ekspertë secili, ndërsa grupi i punës pranë Komisionit te Ligjeve ka miratuar 6 eksperte, për të cilët nuk ka patur fonde të planifikuara,” shkruhet gjithashtu në raport.
Por viti nuk është mbyllur ende, ndaj shpenzimet për muajt që nuk janë llogaritur në raport, pritet që të rëndojnë “llogarinë” e buxhetit të shtetit. /gazetajone