Në Stan Karbunarë të Lushnjës janë hapur dyert e mortit për Roland dhe Eldion Hoxhën, babë e bir që humbën jetën tragjikisht dje teksa punonin në vinçin në magazinën që shpërtheu. Roland Hoxha dhe i biri ishin duke punuar në vinç ku me ndihmën e tij ngrinin 2 bombola oksigjeni me të cilat po kryenin saldime në pjesën e tarracës.
Dyshohet se gjatë punës një bombol u shkëput nga vinçi dhe u përplas në tokë duke shkaktuar një shpërthim që shkatërroi gjithçka dhe mori jetën e të dyve. Për ta ishte dita e parë e punës ne këtë kantier qe rezultoi dhe e fundit.
Nga fuqia shpërthyese u shkëputën telat e tensionit të lartë 110 kv që kalonin sipër magazinës që po ndërtohej nga deputeti i Partisë Socialiste prej 2 mandatesh në Lushnje, Bujar Çela, i cili mbeti i plagosur së bashku me gjashtë persona të tjerë të cilët kanë qenë duke punuar në magazinën e tij. Të dëmtuarit u transportuan në spital për ndihmë mjekësore. Veç deputetit dhe 41-vjecarit Sokol Lumi në Lushnjë janë të lënduarit Sajmir Korreshi, Ilia Sota, Lunedi Golemi, Eriget Gorovelli dhe Ervis Sharka.