Rreth një vit e gjysmë ka zgjatur për Loina Priftin emërimi në krye të kompanisë shtetërore të prodhimit të pasaportave biometrike dhe kartave të identitetit.
Lapsi.al mëson se “super drejtoresha” me pagë 15 mijë euro në muaj është shkarkuar nga detyra prej ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha. Bashkë me të janë larguar edhe vartës të saj, të cilët dyshohen për abuzim në menaxhimin e kompanisë shtetërore.
Pak javë më parë Ministria e Brendshme kishte dërguar një grup auditimi në “IdentiTek” dhe janë konstatuar një sërë shkeljesh në menaxhimin e fondeve dhe praktikave ligjore të ruajtjes së të dhënave sensitive. Për këtë të fundit madje janë njoftuar edhe institucione të tjera në vend.
Loina Prifti ishte deri para një viti një e re anonime në Gjermani, ku siç u tha punonte në fushën e Inteligjencës Artificiale. Ajo u soll prej andej nga ish-ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi dhe u katapultua pa zhurmë në krye të kompanisë shtetërore që pasoi koncensionin e “Aleat” për prodhimin e pasaportave dhe kartave të identitetit.
Madje për të nuk pati as edhe një ceremoni prezantimi asokohe kur nisi transferimi i kompanisë nga koncensionari te shteti shqiptar. Dhe siç ndodh rëndomë me katapultime të tilla prej Rilindjes, makutëria i shtyn shpesh drejtuesit në abuzim me detyrën.
Pak muaj pas emërimit, Loina Prifti nisi një spastrim të gjerë në kompaninë që drejtonte, duke larguar shumë profesionistë që punonin aty prej 15 vitesh. E po kështu krijoi një klimë të lartë mosbesimi e presioni ndaj punonjësve e furnitorëve. Burimi i Lapsi.al tregon se në disa raste, Loina Prifti ka lejuar futjen e personave të paautorizuar në ambiente rreptësisht të ndaluara të kompanisë duke shkelur ligjin.
E po kështu njerëzit e rinj që ajo solli në kompani ishin përmes konkurseve fiktive dhe emërimeve nepotike kryesisht të lidhur me klane të ndryshme në Durrës, qytet prej nga vinte Prifti. Drejtoresha e IT, Sara Zalla është ndërkohë nusja e kushëririt të parë të Loina Priftit. Eda Harizaj, drejtoresha e Burimeve Njerëzore është gjithashtu një lidhje e afërt e saj. Vetë Harizaj ka punësuar në një pozicion të rëndësishëm në “IdentiTek” një kushëri të parë. Si këto ka plot emërime të tjera nepotike në postet kyçe të kompanisë sikundër është edhe Drejtori i Operacioneve.
Veç kësaj Loina Prifti shpërbleu veten me një rrogë prej 15 mijë euro në muaj, si dhe është denoncuar shpesh për tendera të dyshimtë, mes tyre edhe ai me vlerë 1 milion euro për shërbimin e internetit.
Megjithatë raporti i plotë i grupit të auditimit të Ministrisë së Brendshme pritet të hedhë më shumë dritë mbi abuzimet e Loina Priftit dhe vartësve të saj në kompaninë “IdentiTek”. Me rëndësi themelore është të mësohet nëse ka cënim të të dhënave sensitive e biometrike që ruan kjo kompani apo jo? Kujtojmë që muaj më parë plasi edhe skandali i ndërhyrjes në të dhënat e sistemit TIMS, skandal që po hetohet nga Prokuroria e Tiranës.
Nuk dihet gjithashtu nëse për këtë rast ka apo jo një hetim nga institucionet e drejtësisë në vend. Çudi s’do të ishte që abuzimet të fashiten apo mbyllen vetëm me shkarkimin e saj, ashtu siç kemi parë shpesh me zyrtarë të tjerë të qeverisë “Rama”.