Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha ka prezantuar ditën e sotme Drejtorin e ri të Policisë së Shtetit, Ilir Prodën.
Ministri tha se sot hapet një kapitull i ri në rrugën e policisë së shtetit.
Sipas Hoxhës, emërimi i Prodës në krye të Policisë së Shtetit do të sjellë një dinamikë tjetër në organizatën e policisë.
“Nga sot prej Policisë së Shtetit presim qëndrueshmërinë e rezultateve por sidomos rritjen sa më të shpejtë të cilësisë së shërbimit. Procesi i reformave do të zhvillohet duke marrë parasysh rezultatet e gjithesecilit”, tha Hoxha.
Gjatë fjalës së tij drejtori i ri Ilir Proda falenderoi për besimin që i është dhënë dhe tha se proceset e zgjedhjes së drejtuesve do të jenë të bazuara mbi performancë dhe integritet.
“Ju falënderoj për besimin që më është dhënë për të ushtruar këtë detyrë me përgjegjësi të lartë. Duke qenë se jemi në procese të reja konkurruese garantoj që do të jenë të bazuara mbi performancën dhe integritetin asnjë faktor tjetër nuk do të ndikojë për këtë jap garanci maksimale”, është shprehur Proda.
Ministri Hoxha bëri me dije se ceremonia e betimit të Ilir Prodës do bëhet kur të zgjidhen edhe drejtuesit e 12 qarqeve.
Kush është Ilir Proda?
Karrierën në Policinë e Shtetit e nisi në vitin 2005 në Komisariatin nr. 3 në Tiranë për 6 vjet me radhë, për të vijuar me detyra të tjera të rëndësishme, shef në disa komisariate të ndryshme në vend, përfshirë edhe detyra në drejtorinë e përgjithshme në seksionin kundër narkotikëve dhe njësisë kundër krimeve. Për 4 vite me radhë mbajti detyrën e zv/drejtorit të krimeve të Korçës dhe Elbasanit, deri në mars 2023 kur u emërua drejtor i qarkut, po në Elbasan. Së fundmi SPAK i sekuestroi celularin mbi dyshimet e dekonspirimit të operacionit të Çopjave më 31 korrik, i cili pritet të verifikohet në vijim nga ekspertët.
Në garën për drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ishin edhe drejtori i Policisë së Gjirokastrës, Ardian Çipa, drejtori i Policisë Kriminale, Neritan Nallbati, dhe drejtori i Policisë së Durrësit, Skënder Hita, Adriatik Tafçiu, Gentjan Shehaj, Idajet Faskaj, Lutfi Minxhozi, Pëllumb Seferi dhe Rebani Jaupi.