celibashi

Ilirjan Celibashi, kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka nisur një procedurë të veçantë duke akorduar 10 milionë euro për votimin me postë të shqiptarëve jashtë vendit.

Sipas dokumenteve të prokurimit, këto fonde nuk janë pjesë e një tenderi të hapur, por një shpenzim i drejtpërdrejtë që do të shkojë për shërbimet postare.

Fondet do të shpërndahen përmes një procedure negociimi pa njoftim, duke i dhënë Celibashit dhe stafit të tij lirinë për të përzgjedhur kompaninë që do të realizojë këtë proces.

Në fakt, KQZ ka përdorur të njëjtën metodë edhe për shpenzime të tjera të lidhura me procesin zgjedhor, si prodhimi i fletëve të votimit, pajisjet elektronike, interneti, kancelaria dhe votimi elektronik.

Me kalimin e viteve, kostoja e zgjedhjeve është rritur ndjeshëm, ndërsa partitë politike kanë shprehur vazhdimisht pakënaqësi. Për këtë vit, është shtuar edhe vota e diasporës, duke sjellë si shpenzim shtesë kostot postare.

Celibashi ka hapur procedurën për prokurimin e “shërbimit postar për zgjedhësit nga jashtë vendit”, me një fond limit prej 1.008.333.333 lekësh (10 milionë euro). KQZ pritet të zhvillojë negociata me ofruesit e shërbimeve postare në ditët në vijim, duke e klasifikuar këtë shpenzim si “shërbim i postave dhe i korrierëve”. Si në rastet e mëparshme, edhe kjo procedurë do të realizohet me negocim të drejtpërdrejtë, pa garë të hapur. /gazetajone