Reagimi i Gazeta Jonë dhe një numri të madh qytetarësh të tjerë në rrjetet sociale ndaj praktikës aspak profesionale të KQZ-së për të shpjeguar se si nuk duhej bërë regjistrimi i emigrantëve duke nxjerrë në një kontekst tallës të fotove të hedhura gabim prej tyre, ka bërë që Ilirjan Celibashi të tërhiqet nga budallallëku dhe t’i fshijë ato.
Në publikimin fillestar, Celibashi kishte nxjerrë foto të qytetarëve, të cilët në vendin ku kërkohej “vërtetimi i adresës” kishin ngarkuar foto të vetat apo me familjarë të tyre, të cilat më pas KQZ i mori dhe i publikoi në rrjete sociale duke i bërë shembull se si nuk duhej të silleshin të tjerët duke harruar ndërkohë që janë një institucion shtetëror dhe jo faqe memesh.

Qytetarët mund të kenë bërë gabim, por presupozohet që një institucion shtetëror mbron dinjitetin dhe të dhënat e tyre dhe nuk i nxjerr në pazar në formë tallëse sikur të jetë faqe memesh.
Gazeta Jonë nuk po i publikon ato foto për të mos bërë të njëjtën gafë si Celibashi dhe stafi i tij i guakëve që të vetmen punë që dinë të bëjnë mirë është bllokimi i mediave në rrjetet sociale.
Mirëpo, siç mëson Gazeta Jonë, Celibashi nuk është mjaftuar me kaq. Burime bëjnë me dije se ai i ka tërhequr vëmendjen deri në paralajmërim verbal për largim nga puna, drejtuesve të Zyrës së Medias, të cilët i ka gjetur përgjegjës për këtë skandal.
Përmes marrëdhënieve të çuditshme me gazetarë apo media të caktuara, kjo zyrë ka dalë nga misioni i saj duke u kthyer në një seli gallate, qokash personale dhe tallavaje publike, sjellje e pahijshme për KQZ, e cila harxhon milion euro të shqiptarëve për të organizuar zgjedhjet. /gazetajonë



