Tendenca e të rinjve shqiptarë për të hyrë ilegalisht në Angli dhe për t’u marrë me kultivimin e kanabisit është shqetësuese.
Në baba shqiptar që e ka pësuar në kurriz largimin e të birit e përshkruan ankthin që po përjeton. Një intervistë për median britanike Express, tregon se i biri la universitetin dhe shkoi në Britani për të punuar në një fermë kanabisi.
Fillimisht, i biri e gënjeu sa i takon asaj që do të bënte në Britani.
“Do punoj ndoshta në një restorant sepse di anglisht… pastaj të shohim si shkon”, këto fjalë i ba thënë babait.
Ishte një vendim i rëndësishëm. I biri po hiqte dorë nga universiteti në Shqipëri, kur i kishte mbetur vetëm një vit për të përfunduar nga dega e Ekonomikut.
“Im bir nuk fliste kurrë për gjëra të tilla, nuk ishte në qëllimet e tij. Vetëm kur papritur një ditë tha se donte të largohej”, shpjegon i ati në një intervistë për Express.
Një moment që kishte mbërritur në Francë, i riu rrëfeu të vërtetën; po kalonte Kanalin me varkë të vogël për të punuar në një fermë kanabisi në Angli.
“Kur e zbulova ishte tepër vonë, më erdhi si tërmet”, tregon babai shqiptar me sytë me lot.
“Më tha se i duhej puna për të bërë para. Më tha se nëse e mbaron universitetin këtu nuk përbën ndryshim, pasi mund të punosh vetëm si kamarier”.
“Në Shqipëri nëse do të gjesh një punë të mirë, të duhen njohje, ose duhet të paguash para për të kapur vendin e punës. Kështu funksionojnë gjërat për shkak të korrupsionit”, thotë babai.
Megjithatë thotë se nuk e pati të lehtë që të pranonte vendimin e të birit.
“Trembem sa herë dëgjoj një histori nga Londra, vetëm aty më rri mendja”, vijon ai, teksa rrëfen disa prej historive që ka dëgjuar.
“Disa po punonin në një nga këto fermat e drogës dhe papritur një natë disa njerëz u përpoqën të futeshin brenda. Ishte tmerr, ata po i vrisnin. Kam dëgjuar po ashtu sesi kur policia bastis banesat, punëtorët duhet të dalin jashtë dhe disa flenë rrugëve. Ndaj i kam thënë tim biri gjatë gjithë kohës se nuk është punë për të, por ai vijon të më thotë se i duhet pak kohë, sa të bëjë ca para”.
Babai shqiptar rrëfen se e telefonon të birin çdo ditë, ndërkohë që i riu kujdeset për një sasi të madhe bimësh kanabisi. Por biseda nuk është kurrë e lehtë.
“Më thotë se nuk mund të flasë shumë me mua në telefon sepse nuk do që të dëgjohet nga fqinjët. Do të heshtë për shkak të punës”, thotë ai.