Rusia është duke vrarë mijëra ukrainas për shkak të çmendurisë së Putinit për të nënshtruar një shtet me më shumë se 40 milionë banorë për shkak të tekave të tij. Makineria luftarake e Putinit, edhe pse e vjetëruar dhe pa asnjë krahasim më atë perëndimore, është duke kryer masakra në qytetet ukrainase duke vrarë çfarë u del para pa asnjë dallim nëse janë ushtarë, fëmijë, gra apo të moshuar.
Kjo makineri ushtarake është duke u financuar në mënyrë të drejtpërdrejtë nga shitja e gazit dhe naftës nga Rusia. Ironia e fatit është se lufta rriti ndjeshëm çmimet e këtyre eksporteve të Rusisë dhe sërish tani është Rusia që po përfiton nga situata e krijuar nga vetë ajo duke siguruar miliarda dollar prej shitjes së naftës dhe gazit.
Ndërkohë SHBA-të dhe BE kanë dënuar importin e gazit rus duke ndërprerë furnizimin me këtë produkt në shumë shtete, ka disa personazhe të njohur në Shqipëri që janë duke përfituar pikërisht nga kjo situatë.
EKSKLUZIVE-Tankeri i parë me gaz rus i afrohet Durrësit, Shqipëria thyen e mbargon: Kush po financon ushtrinë e Putinit?
“Gazeta Jonë” ka zbuluar se aktualisht në drejtim të një porti shqiptar është duke u afruar një anije çisternë me gaz nga Rusia.
Bëhet fjalë për një anije me flamur të një shteti afrikan, me kapacitet 20 mijë metër kub gaz dhe e ndërtuar 9 vite më parë.
“Gazeta Jonë” ka çdo detaj në lidhje me anijen në fjalë, përfshi portin e nisjes, portin e mbërritjes, emrin e kapitenit si edhe detaje të tjera që e lidhin në mënyrë të drejtpërdrejtë me një kompani shqiptare të importit të gazit.
Redaksia është duke investiguar dhe më pas do të publikojë se cila prej kompanive shqiptare ka porositur gaz të lirë në Rusi për ta shitur më pas këtu me çmime të çmendura për të përfituar miliona dollar me një dorë, ndërkohë që makineria ushtarake e Putinit po masakron qytetarë të pafajshëm në Ukrainë.
Kujtojmë se pak muaj më parë, Shqipëria theu embargon e naftës së Libisë duke sjellë prej andej 2 300 ton karburant, por ndërhyrja e një ambasade të huaj bëri që të mos pranohej nga kompania “Kastrati Group” që kishte bërë porosinë.
Mbetet për t’u parë se cilit do të jetë fati i ngarkesës së gazit rus… /Gazeta Jonë