50 milionë euro në pronësi të biznesmenëve kontroversë, Elman Abule, Kristian Boçi dhe të familjarëve të tyre janë vënë në sekuestro nga Prokuroria e Tiranës, pasi Abule e Boçi janë të përfshirë në aktivitete të dyshimta në Belgjikë dhe dyshohet se bizneset në Shqipëri janë përfituar përmes skemës së pastrimit të parave.
Më konkretisht, në sekuestro janë vënë 14 shoqëri tregtare, ‘Metal Form’, ‘Fidalba’, ‘Ferro Chrome Holding’, ‘Metale Albania 2014’, ‘Ventus’, ‘Trital’ e ‘Rametal’, ‘Alfemet’, ‘Dada Clean’, ‘Sapientia’, ‘Europa Bilding’, ‘Mak-08’, ‘Dizi’, ‘Gloris Constuction’, dy HEC-e, ‘Hec Zall Xhuxhë’ dhe ‘Chris sh.p.k’, vila, trualle dhe makina që janë në emër të Elman Abules, Kristian Boçit, Drilona Boçit, Ender Boçit, Eliverta Boçit, Vladimir Avramit dhe Marisa Nitos.
Përmes kompanive, Kristian Boçi ka bërë një investim me vlerë miliona euro, të cilat në njoftimin e prokurorisë thuhet se ishin të pajustifikuara. Po ashtu sipas dosjes hetimore, Boçi kishte bërë blerje fiktive, me qëllim justifikimin e transaksioneve bankare, dhe kredive që kishte marrë në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri.
Po ashtu, me anë të kompanisë Dizi, themeluar në 2015 me kapital 100 mijë lekë, Boçi kontrollon disa biznese në Rrëshen me burim të dyshimtë, ku përfshihen servis, fast food, market dhe bar-kafe.
Vetë Kristian Boçi ka reaguar pas njoftimit të Prokurorisë së Tiranës, por nuk ka mohuar asnjë nga akuzat. Ai përmend dhe vë në dukje aktivitetet e tij të bamirësisë, si dhe faktin që nuk ka abuzuar me ligjin në Shqipëri, duke e lënë të hapur mundësinë e përfshirjes në aktivitete të dyshimta jashtë vendit.
Kristian dhe Drilona Boçi prej vitesh kanë pushtuar kopertinat e revistave dhe ekranet e televizioneve kombëtare në Shqipëri, duke reklamuar çdo investim të tyrin, jetën luksoze dhe miqësitë me VIP-at shqiptarë. Edhe pse asnjëri prej tyre nuk zotëron ndonjë talent, përveç faktit që Drilona Boçi është shpallur “Miss Shqipëria” në vitin 2005, frekuentimi i vendeve të njëjta si dhe investimet në biznes, e kanë mbajtur këtë çift në qendër të vëmendjes.
Në vitin 2017, dyshja festuan 10-vjetorin e martesës së tyre në një event përrallor që u mbajt në hotel Plaza, një nga hotelet më në zë e më luksozë në vend. Gazeta ka mësuar se vetëm lulet e përdorura për dekor në këtë amient kushtuan plot 250 milionë lekë. Ndërsa sotopjatat ku u servir ushqimi, ishin prej argjendi.
Drilona kishte zgjedhur një fustan bojëqielli Dolce & Gabbana, që i linte zbuluar këpucët e qelqta dhe mbante në dorë një çantë gold. E gjithë pamja e saj të kujtonte përrallën e Hirushes.
Paralelisht çifti kishin ngritur një sërë biznesesh dhe miqësia me dyshen e njohur Xhensila Myrtezaj dhe Bes Kallaku ishte kryefjalë e mediave rozë.
Ata shiheshin kudo bashkë dhe madje në momentin që Besi dhe Xhensila lidhën kurorë, ishin Kritiani dhe Drilona ata që u kujdesën për të gjitha detajet. Në lojë në të njëjtën kohë, u fut dhe këngëtarja Elvana Gjata.
Drilona Boçi hapi dyqanin e veshjeve luksoze “Altar By Drilona Boçi”, ku në një periudhë kohore pati dhe një bashkëpunim me stilistin Valdrin Sahiti. Ishte Elvana Gjata ajo që ia shiti këtë biznes Boçit për rreth 1.2 milion euro.
Por përkushtimi ndaj këtij biznesi nuk zgjati shumë dhe në gusht të vitit 2023, Drilona Boçi doli me një njoftim publik duke bërë me dije se nuk do të jetë më në drejtimin e “Altar”.
Kristian Boçi, i njohur dhe me identitetin e tij të dytë, Agustin Boçi është përmendur edhe në një nga çështjet më të bujshme në Shqipëri, sekuestrimin e 613 kilogramë kokainë, sasi për të cilën u prangos Arbër Çekaj. Pas publikimit të lajmeve se Çekaj kishte përmendur emrin e Boçit si bashkëpunëtor, avokati i të arrestuarit nxitoi ta përgënjeshtronte këtë gjë, duke u shprehur se klienti i tij nuk kishte thënë asnjë emër.
Magjia tashmë është prishur. Miqësia me dyshen Xhensila Myrtezaj dhe Bes Kallaku nuk ekziston më, Altari është mbyllur dhe jeta prej hirusheje me këpucë të qelqta është trazuar nga Prokuroria që kërkon llogari për burimin e parave me të cilat kanë kryer çdo lloj investimi e blerjeje në jetën e tyre.
A do të përfshijë emra të tjerë ky hetim, nisur nga lidhjet e dyshes së famshme? Boçi vijon të mbrohet me petkun e besimtarit e të krishterit të devotshëm, por deri më sot nuk i ka funksionuar askujt përpara autoriteteve ligjvënëse.