Ish-zyrtarja e Kryeministrisë, Alda Klosi është transferuar nga spitali i QSUT-së, në paraburgim. Transferimi i ish-zyrtares, në burgun e grave 325 tek “Ali Demi, ”ndaj të cilës Gjykata caktoi para dy ditësh masën ‘arrest me burg’, është kryer rreth orës 15:00.
42-vjeçarja është vendosur në dhomën e observimit të paraburgimit ku do të qëndrojë 5 deri në 10 ditë dhe më pas do të kalojë në dhomën e paraburgimit. Në burgun e grave ndodhet edhe pastruesja e Alda Klosit, Rozeta Dobi. Klosi akuzohet për veprat penale; “pastrim parash”, “fshehje të pasurisë” dhe “deklarim të rremë para oficerit të Policisë Gjyqësore”.
Në dëshminë përballë grupit hetimor, pastruesja Rozeta Dobi ka treguar se punonte prej 5 vitesh si pastruese në banesat e Alda Klosit dhe në një rast ka konstatuar në dollap kuti të mbushura me euro.
“Kam gjetur në dollape shuma të mëdha me euro, që nuk e di prejardhjen dhe nuk e di se kush i kishte sjellë, apo ku i çonte Alda këto para. Këtë konstatim e kam bërë në vitin 2021, ndërsa kutitë me euro kanë qëndruar aty deri në fund të vitit 2022.”
Sipas dosjes hetimore, rezulton se, Dobi ka nisur punë si pastruese në banesën e Alda Klosit në vitin 2018, në një banesë që ndodhet në zonën e “Mozaikut” të Tiranës. Ajo ka treguar se në banesën e Klosit ka gjetur shuma të mëdha parash, por nuk ka tentuar asnjëherë t’i vjedhë.
“Nuk i numërova, por ishin shumë para. I mora ato dhe i vendosa në siratrin e komodinës që ndodhej në krevatin ku flinte Alda. Më pas e mora në telefon, ku i tregova edhe vendin se ku i kisha futur dhe ajo më falenderoj për veprimin”.
Dobi tregoi më tej se, Klosi u largua nga kjo banesë për të jetuar me qera në rrugën e Kosovarëve atje ku u konstatua fillimisht vjedhja e 120 mijë eurove dhe sendeve të tjera me vlerë. Por sipas sanitares ka qënë Alda Klosi që i ka kërkuar të marrë kasafortën me shumat e parave pasi kishte frikë nga ish-bashkëshorti pasi ndihej e kërcënuar.
“Alda më tregoi se kasafortën e kishte futur te dollapët. Shkova atje e mora kasafortën e futa në një çantë dhe e çova në shtëpinë time tek “Unaza e Re”. Më shoqëroi djali, por ai nuk dinte gjë, veprimet i kam kryer e vetme. Shkova në banesën time, dhe kasafortën e futa në dollap. Nuk kisha dijeni për shumën e parave. Të nesëmen mendova ti sistemoja paratë, ku shumën më të madhe e futa në tubin e aspirimit”.
Fillimisht Klosi i tha policisë se shumën prej 120 mijë euro dhe 30 mijë dollar, ia kishte dërguar xhaxhai i saj nga Amerika, por vëllai i saj deklaroi të kundërtën. Ai i tha hetuesve se këto para ishin marrë borxh prej tij ndërsa prokuroria thotrë se është e paqrtë pse kjo shumë ndodhet në banesën e Klosit.
Pas kësaj dëshmie dhe hetimeve të kryera referuar faktit që Alda Klosi ka qenë subjekt i IlDKKPI, dhe nuk i ka deklaruar këto para, ajo u shoqerua në polici dhe u arrestua në flagrancë, për akuzat e fshehjes së pasurisë dhe pastrimit të parave. Seanca për caktimin e masës do të zhvillohet të martën në orën 10 e 30 në ambientet e spitalit pasi Klosi ka shfaqur probleme shëndetësore. Prokuroria ka kërkuar arrest me burg dhe nëse gjendet fajtore, rrezikon dënimin deri në 10 vite heqje lirie.