Gjykata e Vlorës ka lënë në burg, 23 vjeçarin, Damiano Sejko i cili u arrestua dy ditë më parë pasi u kap me 3 armë zjarri dhe 500 gramë eksploziv me telekomandë.

Sipas burimeve, i riu nuk ka pranuar të japë shpjegime para togave të zeza lidhur me vendin ku kishte marrë armët. Damiano Sejko u arrestua të premten pas informacioneve të policisë se i riu kishte në plan për të kryer një atentat kriminal.

Policia ka mbajtur të fshehtë shënjestrën e atentatit për shkak të sekretit hetimor. Por ndërkohë, vijon puna për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe kapjes së gjithë personave që mund të kenë qenë bashkëpunëtorë të të riut.

Gjatë arrestimit të tij, ku u angazhuan forca të shumta policie, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 500 gramë eksploziv të montuar në një pajisje me telekomandë, 1 armë zjarri automatik, 1 armë zjarri pistoletë me silenciator, 1 armë gjahu, 38 fishekë luftarakë për pistoletën dhe automatikun, 2 uniforma policie, një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis, 2 aparate celulare dhe 1 automjet tip “Volkswagen”.