Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu tha se Irani “ka bërë një gabim të madh sonte dhe do ta paguajë atë” duke iu referuar sulmit me raketa të lëshuar nga Teherani.

Në nisje të një takimi të kabinetit të tij, Netanyahu tha se Irani nuk e kupton vendosmërinë e vendit të tij për t’u hakmarrë kundër armiqve të vet.

“Ata do ta kuptojnë. Ne do t’i qëndrojmë rregullit që vendosëm. Kushdo që na sulmon, do ta sulmojmë pas”, tha ai.

Ushtria izraelite bëri me dije se nga sulmet iraniane nuk pati të lënduar.

Para Netanyahut reagoi edhe zëdhënësi i ushtrisë izraelite i cili tha se Forca Ajrore e vendit do të godasë fuqishëm në Lindjen e Mesme sonte.

Si kundërpërgjigje, zëdhënësi i ushtrisë izraelite deklaroi se sulmi iranian do të ketë pasoja.

“Sistemet e mbrojtjes ajrore izraelite dhe amerikane operuan në mënyrë efektive nën breshërinë e raketave iraniane”, tha Daniel Hagari.

“Izraeli ka plane për t’u kundërpërgjigjur ndaj sulmit raketor të Iranit. Ky sulm do të ketë pasoja. Ne kemi plane dhe do të operojmë në vendin dhe kohën që vendosim. Disa raketa iraniane të gjuajtura në Izrael të martën në mbrëmje kishin ndikim të drejtpërdrejtë në Izraelin qendror dhe jugor. Ne jemi gati për ta. Ne kemi plane dhe do të operojmë në vendin dhe kohën që vendosim”, deklaroi Daniel Hagari, zëdhënës i ushtrisë izraelite.

Sakaq, mësohet se disa nga raketat iraniane të lëshuara drejt Izraelit u kapën nga sistemet anti-raketë amerikane të vendosura në rajon, përpara se të arrinin në qiellin e shtetit hebre, dhe jo nga Kupola e Hekurt izraelite. Kjo është bërë e ditur nga burime amerikane të cituara nga BBC.

Sipas një zyrtari të mbrojtjes amerikane, shkatërruesit e marinës amerikane në Detin Mesdhe lindor kapën raketa balistike iraniane gjatë lëshimit të së martës.