Shqipëria ka pranuar një marrëveshje me Italinë për të strehuar mijëra emigrantë ilegalë në dy kampe në Shëngjin të Lezhës.
Marrëveshja e para e këtij lloji ka ngjallur debat dhe është komentuar gjerësisht nga ekspertët në mbarë botën. Marrëveshje të ngjashme, si tentativa e Britanisë së Madhe për të çuar emigrantët ilegalë në Ruanda, kanë dështuar.
Por televizioni britanik “Sky News” ka zbardhur detaje të reja nga marrëveshja Rama-Meloni për emigrantët.
Veçanërisht një çështje ka ngjallur shumë pyetje; se çfarë do të ndodhë me ata emigrantë të cilëve nuk u pranohet azili në Itali.
Marrëveshja e bën të qartë se, ndryshe nga plani i Mbretërisë së Bashkuar për Ruandën, marrëveshja e përbashkët mbulon vetëm periudhën gjatë së cilës po shqyrtohen aplikimet e tyre për azil dhe për një periudhë të shkurtër më pas.
Nëse një emigranti i jepet azil, atëherë personi do të çohej në Itali për të filluar një jetë të re.
Plani i Mbretërisë së Bashkuar, në të kundërt, përcakton që një azilkërkues do të detyrohej të qëndronte në Ruandë edhe nëse e fitonte azilin.
Sipas dokumenteve të para nga “Sky News”, marrëveshja italiane thotë gjithashtu se nëse rezulton e pamundur të dërgohet dikush në vendin e origjinës, atëherë ata do të kthehen sërish në Itali pas një periudhe të caktuar kohe, që besohet të jetë 40 ditë.
“Sky News” thotë se marrëveshja u arrit mes Ramës dhe Melonit dhe se dy zëvendëskryeministrat e zonjës Meloni, Antonio Tajani dhe Matteo Salvini, nuk ishin në dijeni të marrëveshjes deri pak para shpalljes së saj.