Kryetari i bashkisë së Romës, Roberto Gualtieri dhe nënkryetari i Bashkisë së Kulturës, Gianluca Honorato kanë dhënë një lajm jo të mirë për turistët që do të vizitojnë këtë qytet. Ata njoftuan se vizitorët nuk do të mund të hedhin më monedha në shatërvanin e Trevit.
Sipas tyre, kjo është një masë për të kufizuar mbipopullimin rreth shatërvanit, ku do të vendoset edhe një ndarje transparente që nuk do t’i lejojë vizitorët t’i afrohen shumë ujit.
Sipas mediave vendase, këto ndryshime do të hyjnë në fuqi në janar 2025 dhe do të ketë një periudhë eksperimentale të zbatimit të rregullave të reja.
Ndër të tjera është menduar edhe ulja e numrave të biletave, për të parë më nga afër shatërvanin, i cili mund të rezervohet online. Këto ndryshime vijnë pasi Roma po bëhet shumë e mbipopulluar nga turistët, si dhe një mënyrë për të mbrojtur monumentet historike të kryeqytetit italian.
Fontana di Trevi është një shatërvan i shekullit të 18-të në lagjen Trevi në Romë, Itali, i projektuar nga arkitekti italian Nicola Salvi dhe i përfunduar nga Giuseppe Pannini dhe disa të tjerë. Duke qëndruar 26.3 metra e lartë dhe 49.15 metra e gjerë, është shatërvani më i madh barok në qytet dhe një nga shatërvanët më të famshëm në botë. Konsiderohet se hedhja e një monedhe në këtë shatërvan sjell fat të mirë, por duket se tashmë nuk do të jetë më kështu.