Manastirliu u paraqit e vetme në Prokurorinë e Posaçme dhe është marrë në pyetje për më shumë se 2 orë.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu është thirrur në SPAK. Ajo u paraqit e vetme në Prokurorinë e Posaçme dhe është marrë në pyetje për më shumë se 2 orë.
Sipas informacioneve mësohet se Manastirliu është thirrur për çështjen e sterilizimit, në kohën kur ka drejtuar QSUT e më pas Ministrinë e Shëndetësisë. Kjo për shkak se Manastirliu, si pasuese e ish-ministrit Ilir Beqaj, ka zgjatur kontratën e sterilizimit edhe pse ishte në dijeni, se kontrata nuk po respektohej nga koncensionari.
Madje mbi këto prova, SPAK ka regjistruar një procedim të ri penal dhe ka nisur hetimet për rolin e ish ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe ish Sekretares së Përgjithshme Gelardina Prodani në rritjen e kostos së koncensionit të sterilizimit dhe zbatimin abuziv të kontratës me kompaninë koncensionare SaniService. Kjo dyshohet të jetë dhe arsyeja e pyetjes për më shumë se dy orë të Manastirliut, nga prokurorët e SPAK-ut.
Hetimet lidhur me rastin kanë nisur pas një kallëzimi penal për përgjegjësinë e pretenduar penale të Manastirliut dhe Prodanit gjatë zbatimit të kontratës për shërbimin e sterilizimit të instrumenteve kirurgjikale me afat 10-vjeçar. Sipas kallëzimit penal, dyshja Manastirliu-Prodani kanë shpërdoruar detyrën dhe kanë konsumuar veprën penale të korrupsionit në bashkëpunim, duke ndryshuar kontratën koncensionare dhe rritur koston në mënyrë abuzive.
Konkretisht, në 15 janar 2020, Ministria e Shëndetësisë me në krye Ogerta Manastirliu dhe e përfaqësuar nga Sekretarja e Përgjithshme Geraldina Prodani, ndryshoi kontratën me kompaninë e shërbimit të sterilizimit SaniService, duke parashikuar zgjerimin e shërbimit dhe rritjen e kostos për buxhetin e shtetit.
Duke amenduar kontratën koncensionare të vitit 2015, Ogerta Manastirliu, përmes përfaqësueses së saj, Geraldina Prodani, parashikon që kompania SaniService mund të ofrojë setet kirurgjikale përtej tavanit të përcaktuar në kontratë, 63 mijë operacione në vit, duke aplikuar një zbritje të 25 % të çmimit për çdo shërbim me pajisje për operacionet përtej numrit 63 mijë.
Abuzimi më i madh konsiston tek një vendim tjetër. Ogerta Manastiriu ka lejuar shpërdorimin e 7 milionë euro në vitin 2018, përmes përdorimit të nivelit të lartë të seteve të pajisjeve kirurgjikale me vlerë 140 mijë lekë në vend të pajisjeve të seteve 3 mijë lekë për heqjen e penjve, ndërrimin e fashave për plagët, ndonjë prerje modeste etj.
Me këto veprime të Manastirliut dhe vartësve të saj, së pari shtuan me 44 milionë Euro vlerën fillestare të kontratës së koncesionit; dhe së dyti, nëpërmjet pakësimit të volumit të shërbimit kirurgjikal që përcakton kontrata për 10 vite, më 15 janar 2020 i krijuan 22 milionë Euro fitim firmës private për 5 vite në vazhdim.
Agjentët e BKH që hetuan dosjen e pajisjeve kirurgjikale, kishin skeduar dhe provat e ndryshimit të kontratës nga ish-ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe ish-sekretarja Gelardina Prodani, me pasojë 66 milionë Euro vjedhje shtetit, nëpërmjet bosëve të koncesionit.
Kujtojmë gjithashtu se fillimisht u hoqën nga dosja hetimore dokumentet e ndryshimit të kontratës koncesionare, duke mos e trajtuar fare si provë. Kjo me qëllimin që dy drejtueset e larta të Ministrisë Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu e Gelardina Prodani, të mos ishin objekt hetimi e të mos merreshin të pandehura për aferën e sterilizimit për të cilën po hetohej Ilir Beqaj.
Por rishikimi i dosjes së pajisjeve kirurgjikale, përveç Ilir Beqjes, tani duket se ka fundosur edhe Manastirliun