Ndonëse regjistrimi apo çdo veprim tjetër më pasuritë e paluajshtshme është në kolaps total, qeveria dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës po mundohet të fshihen pas gishtit. Mesatarisht Kadastra pret mbi 1 mijë aplikime në ditë. Një burim konfidencial nga brenda Kadastrës i tha Oligarkia.al se aktualisht janë me dhjetra mijë aplikime që nuk kanë marrë përgjigje.
Për të ulur fiktivisht stokun e aplikimeve dhe për të fshehur rënien totale të sistemit, Kadastra është duke kthyer përgjigje pa kuptim për aplikimet. Vizion plus publikoi këtë të enjte një rast, kur Kadastra i kthente përgjigje një aplikimi duke i kërkuar të postonte dokumenta shtesë pa specifikuar se çfarë. Por janë me mijëra raste të tilla në të gjithë Shqipërinë ose raste kur përgjigja vjen e ndryshme nga kërkesa për të cilën është bërë aplikimi.
Tre ditë më parë, Dallëndyshe Bici, shefja e Kadastrës ka zhvilluar një mbledhje me stafin, ku ka dhënë direktiva që të kthehen përgjigje qoftë edhe pa zgjidhur kërkesën e aplikimeve vetëm për të ulur fiktivisht numrin stok të aplikimeve.
Megjithatë, ajo që po ndodh tani është vetëm antipasta e krizës së Kadastrës. Situata pritet të përkeqësohet ndjeshëm gjatë muajit të ardhshëm, pasi njerëzit të kthehen nga pushimet dhe tregu të nisë operacionet masive me pasuritë e patundshme.
Kjo pasi, vendimarrja për t’u hequr mundësinë qytetarëve që të shkojnë fizikisht pranë zyrave të Kadastrës dhe shpërndarja e aplikimeve nëpër rrethe e ka futur sistemin në një rrugë pa krye.
Shpërndarja e aplikimeve nëpër rrethe të ndryshme ka shtuar edhe më shumë hallkat dhe burokracitë për sa kohë sistemi nuk është tërësisht i dixhitalizuar. Nëse një aplikim nga Tirana shkon në Korçë, zyra e Korçës do detyrohet të kërkojë dosjen nga Tirana për të dhënë përgjigje. Ky lëmsh e ka futur të gjithë procesin në një rrugë pa zgjidhje, por bomba e vërtetë pritet të plasë në shtator.