Qeveria shqiptare ka hedhur hapin e radhës drejt politikës së re për sigurimin e detyrueshëm të pronave nga ana e qytetareve shqiptarë. Në projektligjin e hedhur së fundmi për konsultim publik për mbrojtjen civile, shteti shqiptar heq nga vetja detyrimin për t’u përgjigjur për dëme të shkaktuara nga fatkeqësitë, me argumentin se ky detyrim sjell një barrë të konsiderueshme për buxhetin e shtetit dhe dekurajon sigurimin e pronave nga qytetarët.
Për këtë arsye është janë bërë ndryshime në nenin 42 të ligjit ekzistues, dhe është përdorur termi “ndihmë financiare shtetërore”, çka ridimensionon përfshirjen e shtetit në lehtësimin e pasojave të fatkeqësive. Në dokument thuhet se kjo ndërhyrje është në të njëjtin kah me promovimin e sigurimit vullnetar të pronave, si edhe me përpjekjet për krijimin e kuadrit ligjor për sigurimin e detyruar të tyre.
Që nga viti i kaluar, qeveria po punon për një draft të ri për sigurimin e pronave nga tërmetet, i cili u hodh një herë në konsultim publik dhe për shkak të disa problematikave që mbarte, u vendos të rishikohej sërish. Deri më tani nga Ministria e Financave është bërë me dije se kjo iniciativë do të ndërmerret për shkak se Shqipëria është një vend i rrezikuar nga fatkeqësitë natyrore, por ndërkohë ka një sensibilizim shumë të ulët për sigurimin e pronave, i cili është në nivelin 3 %. Sipas detajeve të bërë publike, skema e detyrueshme do të përcaktojë një prim bazik, të përballueshëm për qytetarët, si dhe parashikohen përjashtime për disa kategori në nevojë.
Projektligji, që pritet të miratohet brenda muajit Shtator, parashikon krijimin e Fondit Kombëtar të Tërmeteve, i cili do të jetë në pronësi të shtetit dhe do të drejtohet nga Ministri i Financave. Detyrimin për blerjen e policës së sigurimit nga tërmetet, e do të kenë kohëzgjatje një vjeçare, do e ketë çdo subjekt që ka në zotërim një banesë, ashtu si edhe subjektet e banesave sociale me qera, përfshirë banesat në proces legalizimi.
Vënia në jetë e kësaj skeme do të bëhet në bashkëpunim me kompanitë e sigurimeve. Sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Sigurimi vullnetar i pasurive të paluajtshme po njeh rritje vit pas viti. Primet e sigurimit vullnetar, gjatë vitit 2023 arritën rreth 8,917 milionë lekë, 12.03% më shumë se në vitin 2022.