Policia ka arrestuar 23-vjeçarin me iniciale D.S. Dyshohet se ai bëntë pjesë në një grup kriminal. Atij i është sekuestruar 500 gramë eksploziv i montuar në një pajisje me telekomandë.
Gjithashtu sekuestrua 1 armë zjarri automatik, 1 armë zjarri pistoletë me silenciator, 1 armë gjahu, 38 fishekë luftarakë për pistoletën dhe automatikun, 2 uniforma policie, një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis, 2 aparate celulare dhe 1 automjet tip “Volkswagen”.
Policia thotë se 23-vjeçari po pregatitej për një krim të rëndë.
Priten informacione të mëtejshme.
Njoftimi i Policisë:
Vlorë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Strike”.
Parandalohet një ngjarje e rëndë kriminale, në qytetin e Vlorës.
Sekuestrohen 500 gramë eksploziv i montuar në një pajisje me telekomandë, për t’u shpërthyer në distancë.
Gjithashtu, sekuestrohen 2 armë zjarri, 1 armë gjahu, municion luftarak, lëndë narkotike, veshje si të Policisë dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Arrestohet në flagrancë 23-vjeçari që i mbante të fshehura në banesën e tij.
23-vjeçari dyshohet të jetë pjesë e një grupi kriminal që po përgatitej për një krim të rëndë.
Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Vlorë, në bashkëpunim dhe me strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative se një 23-vjeçar, i cili dyshohet të jetë pjesë e një grupi kriminal, në qytetin e Vlorës, mbante të fshehura në banesë, armë zjarri të llojeve të ndryshme, me të cilat dyshohet se do të kryhej një krim i rëndë, kanë organizuar operacionin policor të koduar “Strike”, duke angazhuar shërbime të shumta policie.
Në kuadër të këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:
– D. S., 23 vjeç, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, në lagjen “Bashkimi”, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 500 gramë eksploziv i montuar në një pajisje me telekomandë, për t’u shpërthyer në distancë, 1 armë zjarri automatik, 1 armë zjarri pistoletë me silenciator, 1 armë gjahu, 38 fishekë luftarakë për pistoletën dhe automatikun, 2 uniforma policie, një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis, 2 aparate celulare dhe 1 automjet tip “Volkswagen”.
Për shkak të sekretit hetimor, duke qenë se ngjarja është në hetim, nuk jepen detaje të tjera në lidhje me motivet dhe objektivin e synuar. Vijon puna hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë, për identifikimin e shtetasve të tjerë që do të bashkëpunonin me shtetasin D. S. dhe për dokumentimin e plotë të këtij rasti.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme procedurale.