Deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, me 65 vota pro dhe 3 kundër, votuan qeverinë teknike, e cila do të jetë funksionale për 100 ditë.
Deputetët e partisë më të madhe opozitare maqedonase VMRO DPME ishin në sallë, por nuk votuan qeverinë teknike. Opozita shqiptare nuk ishte e pranishme në sallën e parlamentit.
Pas marrjes së votëbesimit në parlamentin e Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, me anë të një postimi në “Facebook” shkruan se me përgjegjësi të lartë merr postin e kryeministrit të RMV. Ai zotohet në zbatimin e ligjit dhe të Kushtetutës.
“Këtë detyrë, besim, nder dhe mbi të gjitha përgjegjësi jashtëzakonisht të rëndësishme, e kuptoj dhe do i qasem ashtu siç kam vepruar në çdo etapë dhe në çdo sfidë që është shfaqur para meje në jetën profesionale dhe personale. Dëshiroj t’ju siguroj se në asnjë çast nuk do të lejoj të devijojmë nga ajo që do të thotë institucion funksional dhe i besueshëm për qytetarët dhe institucion me kompetenca qartë të përkufizuara me Kushtetutë në raport me shtyllat tjera të pushtetit në Republikën e Maqedonisë së Veriut”,shkruan Xhaferi.
Talat Xhaferi bëhet kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut.