Një stuhi detare, që u përplas në brigjet e Vlorës në janar të vitit 2012, dëmtoi në mënyrë të pakthyeshme sistemin ftohës në termocentralin e Vlorës, vetëm pak muaj pasi kishin përfunduar punimet.
Me një vlerë investimi prej 130 milionë eurosh nga tri institucione ndërkombëtare, termocentrali do të zgjidhte çështjen e mungesës së energjisë në situata krizash apo kur nuk kishte reshje. Ai ishte konceptuar po ashtu për të reduktuar blerjen e energjinë jashtë vendit, por nuk i ndezi turbinat asnjëherë.
“Nga shkalla e lartë e dallgës tubat e ujit morën ajër, që u përzje me rërë; kjo pasi nuk kishte një mol ndihmës për shuarjen e dallgëve”, – thotë njëri prej inxhinierëve që ka punuar në TEC asokohe, teksa kujton se era kaloi 80 km/orë dhe ra mbi pesë centimetra shi.
Menjëherë pas incidentit pati përpjekje për ta vënë në punë, por ato dështuan, duke çuar dëm një investim prej miliona eurosh.
Kasem Mahmutaj, një inxhinier që u emërua Drejtor i Përgjithshëm i TEC-it Vlorës dy muaj pas defektit, tregon se gjatë periudhës që shërbeu në këtë vepër (mars 2012-nëntor 2013), kanë bërë vetëm mirëmbajtje dhe konservim.
“Specialistët kanë tentuar që ta vënë në funksion, por pompat, që thithnin ujin e detit për ta sjellë në impiant, ishin mbushur me papastërti. Nga dallgëzimi dhe era e fortë tubat ishin ngritur lart, në sipërfaqe, pasi brenda tyre ishte futur ajër krahas ujit. Kjo sasi e madhe ajri krijoi efektin kamerdare”, – tregon Kasëm Mahmutaj, teksa shton se problemi me këtë vepër shkonte përtej kushteve të motit.
I konsideruar një investim i rëndësisë së veçantë, që kur është ndërtuar dymbëdhjetë vjet më parë, TEC-i i Vlorës i ka ngarkuar shqiptarët me një faturë që po i afrohet 200 milionë eurove, duke mos funksionuar asnjë ditë të vetme.
Dy raporte konfidenciale zbulojnë se KESH ka lënë në gjumë letargjik prej 10 vitesh një pasuri, që mund të riparohej me një faturë prej 13 milionë eurosh.
Aktualisht, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare harxhon nga buxheti i saj 3 milionë euro më shumë se kjo vlerë për mirëmbajtje, për interesa kredie dhe për shpenzime personeli, duke marrë në këmbim degradim dhe humbje.
Sa kushton vënia në punë e TEC-it të Vlorës?
I planifikuar që të mbulonte nevojat në raste krizash apo emergjencash, TEC-i i Vlorës nuk u vu në punë as gjatë krizës, që përjetoi Shqipëria dy vite më parë si pasojë e luftës Rusi-Ukrainë.
Zyrtarisht Korporata Elektroenergjetike Shqiptare mohon të ketë një konkluzion për riparimin e defektit, që mban peng vënien në punë të investimit prej 130 milionë eurosh në Triport.
“Janë realizuar disa inspektime dhe vlerësime, por nuk është arritur në një konkluzion përfundimtar dhe kategorik, nëse sistemi është i riparueshëm apo duhet të zëvendësohet nga një sistem i ri”, – tha KESH në një përgjigje me shkrim për Investigative Network Albania-n.
Ndryshe nga përgjigjja e KESH-it, INA Media pati akses në të paktën dy studime të detajuara për rikthimin në gjendje pune të termocentralit në Vlorë me gaz përmes TAP-it.
Janë dy raporte konfidenciale, të bëra për llogari të Ministrisë së Energjisë gjatë qeverisjes socialiste. Njëri prej studimeve është bërë në qershor të vitit 2017 nga kompania gjermane e konsulencës Roland Berger.
Në analizën e modelit tregtar dhe idetë e ardhshme për termocentralin e Vlorës konsulenti gjerman llogarit se investimi rehabilitues i TEC-it kushton 13 milionë euro (përfshirë kostot e konvertimit në furnizim me gaz).
Ndërkaq, një tjetër raport konfidencial, që i është dorëzuar Bankës Botërore nga kompania britanike Economic Consulting Associates, detajon një plan për gazifikimin e TEC-it të Vlorës përmes TAP-it.
“10 milionë euro për riparimin e sistemit ftohës dhe 3 milionë euro kosto e konvertimit të asetit me gaz. Gjithashtu, kërkohet infrastruktura e furnizimit me gaz nga pika e daljes së TAP-it në Fier deri në Vlorë”, – detajohet në raport.
Gjergj Simaku, ekspert i energjisë, që ka mbajtur edhe postin e zëvendësministrit, thotë se Shqipëria mund ta rimëkëmbte këtë vepër strategjike nëpërmjet TAP-it, por e humbi këtë mundësi.
“Konkretisht është kërkuar që në tubacionin e gazit TAP të ketë një pikë dalëse vetëm për TEC-in, mirëpo edhe për këto dalje për TEC-in është një kontratë që u kërkua të ripërtërihej nga TAP-i, me qëllim që Shqipëria të blinte gaz, por Shqipëria edhe për 10 vitet e ardhshme nuk do blejë gaz, sepse nuk e nënshkroi këtë marrëveshje, kur TAP u vu në punë”, – shpjegon Simaku.
Fatura, që duhej paguar për ta vënë në punë, ishte shumë më e favorshme se sa ajo që duhet të paguajmë aktualisht për TEC-et lundruese.
“Ne mund të paguanim rreth 15 milionë euro dhe ta vinim në punë me gaz, por gaz nuk kemi, sepse marrëveshja për gazin nuk u bë në kohën e duhur me TAP-in dhe pastaj në krizë gjetëm si zgjidhje emergjente marrjen e dy TEC-eve të tjera, lundruese – që për mua ishte gjëja më e gabuar që ka ndodhur për shkak të kostove marramendëse”, – argumenton më tej ai.
Plani i konservimit të termocentralit në atë kohë sugjeronte se vënia e tij në punë pas riparimit të defektit do të ndodhte vetëm në një situatë, kur Shqipëria do të përballej me një krizë, por viti 2022 vërtetoi se kjo nuk ndodhi.
TEC-i nuk u vu në punë as në kulmin e një krize energjie, që përballi botën me pasiguri dhe çmime në stratosferë për shkak të luftës Rusi-Ukrainë.
Shqipëria importoi 1.4 miliardë kWH energji elektrike, rreth 11% të konsumit, me një faturë totale prej 503 milionë eurosh. Çmimi mesatar, me të cilin u ble energjia për të përballuar krizën, ishte 305 euro/MWh, më i larti i shënuar ndonjëherë në histori.
“Termocentrali mund realizonte prodhim energjie me çmim dy herë më të lirë sesa çmimet e importit vjet”, – thotë Azmer Duleviç, inxhinier elektrik.
TEC-i i Vlorës është konceptuar për të prodhuar energji edhe nëpërmjet djegies së naftës, po ashtu dhe nëpërmjet avullit të krijuar nga djegia e naftës. Veç vënies në punë me gaz, inxhinier Klodian Gradeci, që më herët ka drejtuar ndërmarrje të rëndësishme të sektorit energjetik në vend, thotë se KESH-i mund ta shfrytëzonte TEC-in gjatë krizës së vitit 2022 edhe vetëm me naftë.
“TEC Vlora ka defekt në sistemin ftohës, që vë në punë turbinën me avull. Arsyeja, që deri në vitin 2021 nuk mund vihej në punë vetëm turbina me naftë, ishte kostoja shumë e lartë e prodhimit dhe mos-leverdia ekonomike”, – argumenton ai.
KESH shpjegon se, nëse do të ishte në punë, kostoja e prodhimit të energjisë me naftë shkon deri në 180 euro/MWh, teksa e importoi energjinë me thuajse dyfishin e këtij çmimi. Nga ana tjetër, prodhimi i energjisë me gaz natyror rezulton edhe më i lirë.
“Parashikimi i kostove me çmimet aktuale të gazit do të mund të ishte 101-112 Euro/MWh. Kësaj kostoje i shtohen kostot fikse, rreth 15 Euro/MWh”, – thotë KESH.
Këto kosto vlerësohen si konkurruese edhe nga Enti Rregullator i Energjisë.
“Tani ka mundësi që kostoja e prodhimit të jetë konkurruese në treg. Situatat kanë ndryshuar”, – pohon Petrit Ahmeti, kryetar i Entit Rregullator të Energjisë.”
Por, termocentrali nuk u vu në punë, as me naftë e as me gaz.
“Akoma më shqetësues është fakti se askush nuk mban përgjegjësi. Sot jemi përballë fakteve, që ka një dëm financiar në sektor dhe askush nuk mban përgjegjësi për këtë”, – thotë eksperti për çështje të energjisë, Azmer Duleviç.
Në mars të vitit 2021, qeveria shqiptare nënshkroi një marrëveshje me kompanitë amerikane ExxonMobil e Excelerate Energy për futjen e gazit të lëngshëm në Shqipëri, konvertimin e TEC-it të Vlorës me gaz, si dhe ndërtimin e një terminali të ri gazifikimi në Vlorë.
Amerikanët synonin që projekti të niste në fund të këtij vitit që lamë pas, por fakt është që ende jemi larg ndezjes së turbinave me gaz. Deri në gazifikimin e TEC-it aseti do të vijojë të shpenzojë miliona pará, sikurse ka bërë gjatë dekadës së fundit.
Për të përballuar krizën energjetike si pasojë e luftës Rusi-Ukrainë, autoritetet shqiptare zgjodhën, jo të kthejnë sytë nga TEC-i i Vlorës, por të marrin me qira dy TEC-e lundruese.
Sipas kontratës, shteti shqiptar do t’i paguajë rreth 68 milionë dollarë qira për dy vite kompanisë Excelerate Energy ose, thënë ndryshe, 94 mijë dollarë në ditë.
Kjo shifër është thuajse 5 herë më e lartë se vlera prej 13 milionë eurosh, që do të nevojiteshin për ta vënë në funksion TEC-in e Vlorës.
Pavarësisht se Shqipëria nuk është më në një situatë emergjence dhe anijet lundruese nuk i kanë ndezur asnjë ditë gjeneratorët, shteti shqiptar do të vijojë që ta paguajë të plotë kontratën, duke i rritur kostot në mënyrë artificiale.
Miliona për mirëmbajtje
I pozicionuar në Pyllin e Sodës, vetëm 6 kilometra nga qyteti i Vlorës, termocentrali nuk të lë përshtypjen e një objekti të lënë pas dore. I njohur ndryshe si TEC-i Vlorës, ai nisi ndërtimin në vitin 2007 dhe duhet të zgjidhte deficitin e Shqipërisë në energji elektrike, sidomos në jug të vendit, ku nuk ka prodhues të energjisë.
Sipas Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), që është pronarja e këtij aseti, nga viti 2012 deri në fund të vitit 2022 fatura e mirëmbajtjes së termocentralit arrin në 150 milionë lekë në vit (1.4 milionë euro në vit). E thënë ndryshe, në total janë shpenzuar rreth 16 milionë euro për mirëmbajtje, edhe pse nuk është vënë në punë. (Euro është llogaritur me kursin e aktual, 106 Lekë)
Por, këto janë vetëm një pjesë e faturës së kripur të humbjeve vjetore. Bilancet e termocentralit tregojnë se mbajtja jashtë funksioni po e rëndon buxhetin e KESH-it me humbje të larta, vjetore.
Ndërtimi i tij ka kushtuar 130 milionë euro, ndërkohë që prej dhjetë vitesh po merr dhjetëra milionë euro të tjera për t’u mirëmbajtur. Ai u financua nëpërmjet një kredie të butë nga BERZH, Banka Botërore dhe Banka Europiane e Investimeve.
Prej vitit 2012 e deri në bilancin e fundit, të dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit për vitin 2021, shqiptarëve iu ka kushtuar 5,8 miliardë lekë apo 55 milionë euro mbajtja e TEC-it jashtë funksioni.
“Në këtë rast, Tatimet duhet të kishin filluar procedurat e falimentit, për sa kohë që, që prej vitit 2013, TEC Vlora rezulton me humbje, si dhe me vijueshmëri financiare, negative”, – thotë Eduard Gjokutaj, ekspert financiar nga organizata ALTAX.
Humbjet më të mëdha janë nga shpenzimet për amortizim dhe zhvlerësim të asetit, një tregues i qartë ky që investimi po shkon dëm dhe vënia në punë është emergjente.
TEC-i ka fuqi të instaluar 97 MW, me të cilat mund të prodhonte deri në 730,000 MWh në vit, sasi me të cilën mund të mbulohej më shumë se gjysma e deficitit vjetor të energjisë elektrike në vend. Në fund të vitit 2011, kur përfundoi, përmbante 7 për qind të fuqisë së instaluar në vend.
Një TEC për krizën e tejzgjatur
Gjatë gjithë viteve `90 dhe 2000 vendi përjetoi një krizë të vazhdueshme furnizimi me elektricitet. Prodhimi vendas u bë kapriçoz, pasi varej nga reshjet e shiut, rrjeti i shpërndarjes ishte i amortizuar, një pjesë e madhe e energjisë së konsumuar nuk paguhej. Kjo gjendje prodhonte ndërprerje të shpeshta të energjisë. Në atë situatë specialistët dhe politika po kërkonin me dëshpërim burime alternative energjie.
Një pjesë e prodhimit alternativ do të vinte nga hidrocentrale private, një pjesë tjetër do të vinte nga djegia.
“U pa si zgjidhje, pasi ishim në krizë”, – thotë Zana Guxholli, e cila në ato kohë ka qenë këshilltare e qeverisë për çështjet ekonomike.
“Gjeneratorët ulërinin në çdo cep dhe sistemi i shpërndarjes ishte shumë i dobët.”
Planifikimi nisi që në fillim të viteve 2000 dhe, me gjithë vonesat, në vitin 2007 u kontraktua një kompani inxhinierike italiane, Tecnimont, e cila kishte pasur eksperiencë ndërkombëtare në burimet e energjisë.
Tecnimont do të ndërtonte për KESH-in një TEC të ashtuquajtur me cikël të kombinuar, pasi energjia do të prodhohej në dy mënyra, që kombinoheshin me njëra-tjetrën: një turbinë me fuqi 67 MW do të prodhonte energji nga djegia e naftës dhe tjetra me 30 MW do të merrte avullin e krijuar nga nxehja e ujit të përdorur për të ftohur turbinën e naftës.
Uji do të merrej nga deti me një tub fibre plastike 600 metra të gjatë dhe me diametër 150 cm; do të pastrohej nga rëra dhe do t’i hiqej kripa në një depo në kompleksin e termocentralit dhe do të ftohte turbinën e naftës gjatë djegies. Avulli i krijuar do vinte në punë turbinën e dytë dhe do ta kondensonte në ujë gjatë atij procesi. Uji do të ftohej dhe do të hidhej në det me një tub tjetër po aq të gjatë, me një temperaturë që nuk duhej të ndryshonte më shumë se tri gradë nga temperatura e detit, në mënyrë që të mos dëmtohej bota e gjallë në të – peshqit.
Tecnimont nisi ta ndërtojë në vitin 2007 dhe e kishte gati në tetor, dy vjet më vonë. Por, një stuhi në det i dëmtoi tubat, që sillnin ujë në termocentral dhe e kthenin atë në det dhe, sipas një raporti, kompania ia vuri fajin nën-kontraktorëve, një grupi zhytësish nga Ortona, qytet pranë Ankonës, të cilët ishin specializuar në ndërtime nën ujë.
Tecnimont mori përsipër që ta mbyllë vetë atë gjë. Mori një grup tjetër zhytësish nga Italia, për të riparuar tubin dhe e zgjati diçka rreth një vit më shumë, por shumë pak kohë pasi e dorëzoi, në tetor të vitit 2011, në janar, një stuhi tjetër dëmtoi tubat dhe futi rërë në impiant. Kishte mbetur diçka rreth 10 për qind e fondeve pa lëvruar.
Në atë moment autoritetet shqiptare dhe kompania u hodhën në luftë të hapur. KESH-i bllokoi disbursimin e këstit të fundit, 10 për qind e vlerës së kontratës. Tecnimont hodhi poshtë përgjegjësinë dhe braktisi punimet. Çështja është në Arbitrazhin ndërkombëtar në Hagë.
“Ai TEC tani po bëhet shumë i vjetër dhe është i vrarë moralisht, çka do të thotë që sistemi i kontrollit të tij është bërë i shtrenjtë, por jo i pakalueshëm”, – përfundon Gjergj Simaku, ekspert i energjisë./inamedia