Lutfi Dervishi

Kiko i befasuar nga ethet që i kanë zënë shqiptarët për t’u larguar me të gjitha mënyrat nga Shqipëria vendosi të bëj publik arsyet se pse ai ka vendosur të qëndrojë në Sarandë.

Shqiptarët janë kombi që emigrojnë më shumë se çdo komb tjetër. Në këtë rruzull ja kalon vetëm Sierra Leone. Mirë shpendët që i kuptoj se pse largohen dhe vijnë këtu si turistë sezonal, por nuk arrij të kuptoj si mund të ikë njeriu nga Shqipëria drejt vendeve si Gjermania, Anglia, apo SHBA? Kiko dyshon se ndoshta janë vaksinat kundër Covid-it, që i nxisin shqiptarët të ikin nga sytë këmbët.

Si mund të ikë njeriu nga një vend që mban rekord botëror për:

Numrin e poliagjentëve.

Profesor Doktorëve.

Investitorëve Strategjikë,

Kriminelëvë të konvertuar në biznesmenë.

Biznesmenëve të konvertuar në konsuj nderi.

Numrin e personave që kanë ndërruar emër

Sasinë e konsumimit të bananeve

Numrin e lejeve të ndërtimit

Numrin e betoniereve për frymë.

Numrin e VIP-ave

Numrin e televizioneve

Numrin e Portaleve

Numrin e analistëve

Numrin e veteranëve

Numrin e heronjëve

Numrin e këngëve për udhëheqësit

Numrin e farmacive

Numrin e kafeneve

Numrin e restoranteve

Numrin e paruke rive

Numrin e partive politike

Numrin e shërbimeve funerale

Si mund të ikë njeriu nga ky vend që ka kaq shumë rekorde botërore?!

Si mund të shkosh në vende që nuk ka e shans ta arrijnë Shqipërinë?

Duke lexuar nëpër portale për rrënjët shqiptare Kiko u habit nga fakti se figurat e mëdha të njerëzimit qenkërkan me origjinë shqiptare.

Krishti, Aleksandri i Madh, Akili, George Washingtoni, Napoleoni, 8 papë, Nikola Tesla, Mbretërit e Serbisë, udhëheqësit e Maqedonisë, deri te figurat bashkekohore nga fusha e sportit, shkencës dhe doemos politikës si Leo Mesi, George Bushi, ministri i jashtëm grek Dendias qenkan të gjithë me origjinë shqiptare!

Mos jam edhe unë shqiptar dhe nuk e di- pyeti veten Kiko.

Kur kërkoi faktet i thanë se për Napoleonin prova më e fortë dhe pakundërshtueshme që është me orgjinë shqiptare është “vallja e Napolonit”.

Pas kësaj Kiko nuk guxoi të pyesë më për rrënjët e figurave, por gjithsesi psherëtiu:

“Çudi me këta shqiptarët kanë rregulluar Greqinë, Serbinë, Maqedoninë, Francën, Amerikën, Egjiptin. Duke u marrë me botën kanë lënë pas dore Shqipërinë. Ndoshta edhe tani që Europa është në krizë, shqiptarët po nxitojnë të rregullojnë vendet e BE-së?!
Por sidoqë të jetë unë nuk iki nga ky vend që ka kaq shumë rekorde botërore. Nëse më thoni një vend që ka më shumë rekorde se Shqipëria jam gati të iki edhe unë nga sytë putrat”, tha Kiko.