Janë çuar në këmbë shumë institucione ndërkombëtare dhe i kërkojnë qeverisë së Kosovës të jetë sa më e kujdesshme ndaj serbëve të Veriut, thuajse ne shqiptarët e jo serbët, i filluan gjitha luftërat në këto hapësira dhe e mbuluam tokën e Ballkanit me varreza masive.
Mes atyre që i kërkojnë Kosovës maturi dhe bashkëpunim me Serbinë bëjnë pjesë edhe Kryeministri i Shqipërisë dhe shumë opozitarë shqiptarë të cilët, siç duket, me Beogradin zyrtar i bashkon urrejtja ndaj Kurtit dhe frika ndaj frymës së tij antihajdute që e solli në këto hapësira, urrejtje që vëllazëroi mes vete edhe Piktorin me Vuçiqin.
Ndërkohë Serbia është duke bërë atë që dinë ta bëjë, atë që e ka trashëguar nga koha e Millosheviqit e që e detyron faktorin ndërkombëtarë të jetë më i kujdesshëm ndaj keqbërësit se sa ndaj viktimës: të blejë kohë e ta lodhë Kosovën me Veriun e saj. Ashtu siç e kontrollon dhe e lodh Bosnjën nëpërmjet Republika Serpskës, Malin e Zi nëpërmjet Kishës Serbe dhe Maqedoninë me strukturat serbe nëpër institucionet e saja.
Edhe partitë opozitare shqiptare në Kosovë vazhdojnë të bëjnë çmos që qeveria e VV të dështojë, me çka edhe do mbuloheshin lëshimet që ata ua bënin kriminelëve serbë të Veriut si dhe Beogradit zyrtar që i shantazhonte ata me stabilitetin e Kosovës dhe me mbetjen e tyre në pushtet, e me çka ua pamundësonte t’ua shtronin ndërkombëtarëve pyetjen më elementare: e çka i duhet Kosovës stabiliteti që kryeqytet të vetin do ketë Beogradin, e jo Prishtinën?
Pra çka i duhet Kosovës stabilitet që do varet nga dëshira e Beogradit, nga kjo Serbi besnike e interesave ruse dhe iraniane, nga kjo Serbi që ka shti në duar dhe e kontrollon stabilitetin e katër shteteve të këtyre hapësirave.
Ndërkohë, ne shqiptarët, të mbetur ‘pa mëmëdhe’, apo me një Shqipëri në duart e Piktorit, i cili i është përbetuar Vuçiqit për besnikëri edhe përtej shkatërrimit të shqiptarisë, jemi pa ‘zëdhënësin’ që do duhej ta pyeste botën: si u bë që nga ne shqiptarët të kërkohet ta ruajmë stabilitetin e Maqedonisë, ku jemi tridhjetë për qind, të Malit të Zi, të Serbisë…, e serbëve të Kosovës, që janë një autobusë njerëzish, t’u lejohet që njëherë në muaj, të tregojnë hapur se nuk duan të jetojnë në shtet ku shumicë janë shqiptarët.
Ku ta dish, mbase ka ardhur koha kur njëherë e përgjithmonë, Kosova duhet të merr përgjigjen e ndërkombëtarëve se cili është çmimi që ajo duhet ta paguaj që ta dëshmojë mirënjohjen e saj ndaj atyre që e shpëtuan nga regjimi i Millosheviqit? Por duke treguar qartë se nuk është e gatshme që në emër të kësaj mirënjohje të shkelë mbi ‘kufomën’ e vet.
Siç ka ardhur koha kur ne shqiptarët duhet të dëshmojmë se Kosova do na takojë vetëm aq sa do e meritojmë atë, vetëm aq sa do jemi të gatshëm ta mbrojmë çdo cep të saj.