Kontrolli i Lartë i Shtetit në një raport të publikuar dje mbi auditin për koncesionarin e “Rapiscan” thekson se janë zhdukur dokumentet e qeverisë shqiptare që i pagoi 495 mijë Euro studios ligjore “Omnia Strategy” të Cherie Blair, e cila bashkëshortja e Toni Blair, këshilltarit të kryeministrit shqiptar.
Por çfarë ka ndodhur ndër vite?
Kontrata koncesionare e skanimit në dogana u firmos në momentet e fundit kur Sali Berisha po linte pushtetin në 2013. Edi Rama premtoi se do ta anulonte dhe në vitin 2015 tentoi të ndërpriste kontratën koncesionare për skanimin e kontejnerëve. Shoqëria private iu drejtua Arbitrazhit Ndërkombëtar. Në këto kushte qeveria u tërhoq dhe rinegocioi kushtet e kontratës. Shqipëria pagoi për konsulencën në Arbitrazh studion ligjore “Omnia Strategy” të Cherie Blair.
KLSH ka bërë një audit për “Kontratën e koncesionit për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të kontejnerëve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë dhe tarifës së shërbimit të skanimit”. Në raport, KLSH thotë se nuk gjeti dokumentet e pagesave që janë bërë nga qeveria shqiptare për studion ligjore britanike.
“Sipas informacioneve të gjeneruara nga burime të treta informacioni ( media, shoqëria civile) është kontraktuar eksperti i “Omnia Strategy” LLP për konsulencë tregtarë dhe zgjidhje mosmarrëveshjeje tregtare me “RAPISCAN” nëpërmjet Avokaturës se Shtetit, dhe për këtë shërbim ajo është paguar nga fondi rezervë i qeverisë në shumën 495 mijë euro, “Për kryerjen e pagesave të tarifave të avokatëve në çështjen e arbitrazhit ndërkombëtar ICC nr.20447/MHM “S2 ALBANIA” SHPK dhe “RAPISCAN SYSTEMS” INC kundër RSH.
Në dokumentacionin e vënë në dispozicion nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë nuk u gjet asnjë informacion për këtë shërbim të paguar ekspertit “Omnia Strategy” LLP nga fondi rezervë në shumën 495 mijë euro” thotë KLSH.
Në vijim, KLSH ndalet edhe te kushtet e negocimit duke shprehur shumë rezerva. “Në rishikimin e termave të kontratës së 2015, ka ndryshuar edhe skema e financimit të saj. Fillimisht kontrata do të ishte tërësisht e financuar nga koncesionari, ndërsa tanimë me ndryshimet ligjore ajo do të jetë një kontratë me mbështetje buxhetore, ku do të jetë pikërisht buxheti i shtetit që do të rimbushje diferencën e pagesës qe ka rezultuar nga të mbledhura nga pagesat e tarifës së skanimit, me çmimin e shërbimit të skanimit për çdo vend. Me ndryshimin e termave 164 të kontratës në 2015, plani financiar nuk është ndryshuar dhe në dokumentacionin e venë në dispozicion mungon një analizë e detajuar e këtij plani financiar” thuhet më tej.