Koka apo masha e korrupsionit? BËMAT e ish-drejtoreshës Erinda Fino , të cilës SPAK i mori telefonin

Ish-drejtoresha e Tirana Parking deri pak ditë më parë, Erinda Fino është në qendër të një skandali të madh korrupsioni që kap nivelet e dosjes 5D, ku disa drejtorë të rendësishëm të Bashkisë së Tiranës si Redi Molla apo Mariglen Qato i jepnin tendera publike kompanisë së tyre, e cila ishte regjistruar nën emrin e Nestor Muhametllarit.

Gazeta Jonë raportoi pak kohë më parë se asaj iu sekuestrua telefoni nga SPAK pasi kishin nisur hetimet për skandalin e radhës, ndërsa Erion Veliaj e shkarkoi nga detyra atë bashkë me drejtorë të tjerë, në pritje të ndonjë arrestimi nga SPAK.

Skandali Erinda Fino-Redion Çatri-Vilma Diçi

Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit ka funksionuar gjatë këtyre viteve nën një model i ngjashëm me skandalin 5D, ku ish drejtorja e Përgjithshme Erinda Fino, drejtori i Pyjeve dhe Kullotave Redion Çatri dhe shefja e sektorit Vilma Diçi kanë dhënë tendera te një kompani e cila zotërohej nga bashkëshorti i Vilmës, Fabjan Diçi.

Çatri rezulton të ketë themeluar gjatë kohës që ishte drejtor në Bashkinë Tiranë kompaninë ‘Paysera Albania’ në bashkëpronësi me një ortak tjetër.

Shoqëria ka aktivitet në fushën e pagesave elektronike dhe këmbimit valutor. Ndër vite Çatri ka hapur dhe disa firma të tjera, ku njëra ushtron aktivitet në fushën e bar-kafeve dhe tjetra në shitjet e pasurive të patundshme.

I punësuar në kompaninë Paysera rezulton Fabjan Diçi, i cili ka mbajtur postin e drejtorit të financës në këtë shoqëri.

Diçi vendos më pas që të bëhet vetë biznesmen, vetëm se suksesi i biznesit të tij tashmë do t’i dedikohej kontratave me bashkinë Tiranë e pikërisht me Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit.

Koka apo masha e korrupsionit? BËMAT e ish-drejtoreshës Erinda Fino , të cilës SPAK i mori telefonin
Koka apo masha e korrupsionit? BËMAT e ish-drejtoreshës Erinda Fino , të cilës SPAK i mori telefonin

Lidhjet në këtë skemë bëhen përmes dy njerëzve të tij që janë të besuarit e Drejtores së Përgjithshme Erinda Fino: Redion Çatri, që është dhe pronari i Fabjan Diçit te kompania “Paysera Albania” dhe Vilma Diçit, bashkëshortes së Fabianit, e cila ka qenë e punësuar si shefe sektori në këtë agjenci.

Diçi ka ndryshuar objektin e aktivitetit duke shtuar përveç studimeve dhe projektimeve në fushën e pyjeve, edhe shfrytëzimin, grumbullimin dhe tregtimin e prodhimeve pyjore jodrusore.

Menjëherë pas hapjes kompania ka gjeneruar që vitin e parë të ushtrimit të aktivitetit 165 mijë euro të ardhura, të cilat janë gjashtëfishuar vitin e dytë të saj, 2023, në rreth 1 milion euro xhiro, falë dhe kontratave të marra nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit.

Në vitin 2023, firmës i ndryshohet emri në “Trade and Construction Group” dhe fiton 6 tendera pranë Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit me vlerë totale 552 mijë euro me Tvsh.

Kontratat kanë objekte të ndryshme dhe kompania rezulton të mos ketë përvojë për ofrimin e këtyre shërbimeve, ndërsa në disa tendera mungon konkurrenca dhe i vetmi operator pjesëmarrës është “Trade and Construction Group”.

Një tjetër treg i dhënë nga grupi i drejtorëve në shfrytëzim kompanisë së drejtorëve është treni brenda ambienteve të Kopshtit Zoologjik, ndërsa treni në mjediset e Liqenit Artificial është dhënë për t’u shfrytëzuar pa hapur një garë pranë Agjencisë së Prokurimit Publik.

Të drejtat për të marrë në shfrytëzim të mira publike, bëhen duke zbatuar parimet e garës, e ku kriteret për trenin në këtë rast do të ishin ato që do të caktonin fituesin, si standardet mjedisore, që treni të mos punojë me lëndë djegëse siç ishte ai që ofroi shërbimin për 3 vjet, si do të ndahej fitimi, pra sa do të merrte shteti nga të ardhurat ose sa do të ishte çmimi i biletës që të rëndonte më pak xhepat e qytetarëve.

Për vitin 2022 dhe 2023 të ardhurat që ka nxjerrë kompania nga treni në Liqenin Artificial janë përkatësisht 87 dhe 88 mijë euro.

Mësohet se Prokuroria e Posaçme është duke hetuar për këtë skemë dhe ka sekuestruar dokumentacion pranë ndërmarrjes “Tirana Parking” dhe Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, ndërsa është sekuestruar telefoni i ish-drejtueses Erinda Fino.

Fino u shkarkua më 25 tetor gjatë një mbledhje gjatë të cilës Erion Veliaj largoi 12 drejtues të aparatit të Bashkisë Tiranë.

Ajo ka qenë në krye të drejtorisë së Planifikimit dhe Zhvillimit Strategjik të Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit që prej vitit 2015 dhe në 2019-n ka marrë postin e Drejtorit të Përgjithshëm në këtë agjenci, ndërsa në janar 2024 është vendosur në krye të “Tirana Parking”.

Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit është një nga strukturat më të mëdha të Bashkisë Tiranë si për fondet që menaxhon dhe për burimet njerëzore.

Por kjo nuk është bëma e vetme e Erinda Finos, drejtoreshës së përkëdhelur të Veliajt, të cilën e ka shëtitur kryesisht në drejtoritë ku ka patur “shumë lekë”.

Skandali me ROGAT Security

Gazeta Jonë ka raportuar më herët në lidhje me bëmat e Erinda Finos kur ishte në krye të Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, ku për tendera me objekt sigurinë apo ngritjen e infrastrukturës për qëllime të tilla, kishte vetëm një kompani që shpallej fituese, pikërisht ROGAT Security e Begator Manes.

Gazeta Jonë ka denoncuar të paktën dy raste, tenderësh me flamur të kuq të marrë nga ROGAT Security, ku në një rast është krijuar iluzioni i një gare dhe në një tjetër askush nuk e ka vrarë mendjen as të bëjë “letrat”, por ROGAT është shpallur fituese.

Kompania ROG.AT Security ka marrë në 17 korrik 2023 pagesën e radhës nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit në kuadër të tenderit gjigant prej 350 milionë lekë të zhvilluar pranverën e këtij viti me objekt blerje “Paisje me sinjalistike, sistem monitorimi,uniforma dhe armë për inspektim”.

Gazeta Jonë ka konsultuar urdhër pagesat e thesarit dhe rezulton se APR po vijon pagesat ndaj kompanisë së sigurisë fizike me një periodicitet një herë në muaj në shuma të ndryshme që prej 24 prillit 2023.

Rezulton se ROGAT Security në pronësi të Begator Manes është kompania e preferuar e APR-së së drejtuar nga Erinda Fino për tenderët e zhvilluar prej saj duke i fituar përmes procedurave të dyshimtja për të cilat do të flasim më poshtë, pasi ka dyshime se bëhet fjalë për një skemë të mirëmenduar me qëllim shmangien nga radarët e kontrollit dhe medias.

ROGAT Security ka përfituar rreth 1.3 miliardë lekë gjatë tre viteve të fundit prej thesarit dhe pjesa dërrmuese e këtyre parave janë transferuar pikërisht nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit.

Garë fiktive

Tenderi në fjalë me fond limit 29 101 000 është fituar nga ROGAT Security me një vlerë 28 570 000 lekë ose me 98% të fondit limit!

Kjo përqindje është shumë e lartë duke konfirmuar se ka patur një mungesë të theksuar konkurrence edhe pse në letra duket se kanë ofertuar 5 kompani bashkë me fituesin. Po si mundet që të kenë ofertuar 5 kompani dhe ROGAT Security të jetë shpallur fituese duke kapur “bingo” me një vlerë sa 98% e fondit limit?

Gazeta Jonë është konsultuar me specialist që njohin procedurat e tenderëve që konfirmojnë se këtu ka dyshime të forta për një organizim fiktiv të tenderit me një fitues të paracaktuar dhe se të gjithë të tjerët kanë marrë pjesë vetëm për të plotësuar skemën.

ROGAT Security e Begator Mane , e preferuara e Erinda Finos: Zbulohet skema me tenderët fiktiv, 4 kompani “fantazmë” të përfshira

Mediat shërbejnë vetëm për të ngritur shqetësimet dhe denoncuar shkeljet, pastaj i mbetete organeve përgjegjëse që të bëjnë verifikimet përkatëse.

Në këtë tender kanë shprehur gatishmërinë për të marrë pjesë pesë kompani.

E para është RO.GAT Security e cila është shpallur fituese me mbi 98% të fondit limit. Kompani të tjera janë: “Open Tech Consulting & Services” Shpk; “VOJVODA” shpk; “TREZHNJEVA” shpk; “LEKA” shpk.

Çuditërisht, ditën e hapjes së ofertave ka rezultuar se të katërta kompanitë e tjera përveç fituesit janë skualifikuar për të njëjtat shkaqe dhe specifikisht sipas APP-së se “Nuk ploteson kriteret e pergjithshme per kualifikim, pasi nuk ka paraqitur shtojcen 8 Formularin Permbledhes te vetedeklarimit”.

Pra, të katërta kompanitë janë futur në tender dhe nuk kanë dorëzuar të njëjtin dokument duke u skualifikuar të gjitha!

Krahas kësaj, kompania “Open Tech Consulting & Services” Shpk e Ermal Xhaferrit rezulton me një xhiro vetëm 7 milionë lekë në vit gjatë viteve të fundit dhe nuk mundet që në fillim të përmbushë kushtet bazike të pjesëmarrjes në një tender të tillë duke konfirmuar të gjithë fiktivitetin e kësaj procedure.

Skema

Nga verifikimet që ka bërë Gazeta Jonë rezulton se tre kompani “VOJVODA” shpk; “TREZHNJEVA” shpk dhe “LEKA” shpk janë pjesëmarrëse thuajse në të gjithë tenderët ku është shpallur fitues RO.GAT Security nga APR dhe janë skualifikuar pikërisht për mosdorëzim dokumentesh.

Dhe çuditërisht asnjëra prej kompanive nuk është ankuar!!

Praktikisht ka dyshime të forta se kompanitë shërbejnë vetëm për të treguar se në tender ka konkurrencë duke u hedhur hi syve prokurorisë, medias dhe mbi të gjitha qytetarëve që paguajnë taksa.

ROGAT Security e Begator dhe Marsel Mane fiton 97 milionë lekë me shkelje

Kompanitë private dhe vendimmarrësit e korruptuarjanë bërë më të zgjuar në rastet kur duan të vjedhin apo t’ia japin tenderin atij që duan duke zbatuar në dukje rregullat përmes respektimit në mënyrë fiktive të procedurave, por që në fund del i njëjti rezultat: Tenderin e merr ai që është paracaktuar!

SKANDAL në tender , ROGAT Security e Begator dhe Marsel Mane fiton 97 milionë lekë me shkelje, prokurorët me pushime

Gazeta Jonë sjell si shembull të tillë tenderin e organizuar nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit me Nr.Reference REF-76891-08-07-2023  dhe fond limit 10 020 834 lekë. Pra, rreth 100 milionë lekë.

Tenderi është fituar nga kompania RO.GAT Security në pronësi të biznesmenit Begator Mane dhe nën administrimin e Marsel Manes.

Por, ku qendron “kleçka”?

Në dukje tenderi është tërësisht korrekt edhe pse kompania RO.GAT Security ka fituar me një vlerë 9 723 600 lekë, e cila është shumë pranë fondit limit. Praktikisht, kompania RO.GAT Security ka fituar tenderin duke dhënë 97% të fondit limit, madje duke patur edhe tre ofertues të tjerë!

Në vetvete, fitimi i tenderëve me mbi 90% të fondit limit konsiderohet tepër i dyshimtë sa i përket garës reale në to, por problemi më i madh në këtë tender është se tre ofertuesit e tjerë kanë marrë pjesë në tendër por nuk kanë dorëzuar asnjë DOKUMENT që të vërtetojnë se janë të aftë ta përmbushin detyrimin e marrë përsipër!

Praktikisht, kompanitë pjesëmarrëse në tender “VOJVODA” shpk; “TREZHNJEVA” shpk dhe “LEKA” shpk duket se kanë marrë pjesë në mënyrë fiktive në tender për të përmbushur detyrimin e garës, pasi nuk kanë ofruar asnjë dokument për të mbështetur ofertën e tyre.

Në këtë mënyrë, ato i kanë hapur rrugën kompanisë RO.GAT Security që të fitojë tenderin praktikisht pa farë në mes. Një fakt i tillë është krejtësisht i dukshëm pasi të treja kompanitë marrin pjesë në tenderë të tjerë dhe operojnë normalisht, dhe nuk ka asnjë arsye që të mos dorëzojnë dokumentet bazike të pjesëmarrjes në tendër pikërisht në tenderin që duket se ishte projektuar ta fitonte RO.GAT Security. /Gazeta Jonë