stefania-nobile

Shqipëria është kthyer në një vatër pastrimi parash, ku bankat vendase po luajnë një rol kyç në këtë proces. Rasti i fundit që ka tronditur Italinë dhe që tashmë ka lidhje edhe me Shqipërinë ka të bëjë me Davide Lacerenza dhe Stefania Nobile, të cilët janë vënë në pranga nën dyshimet për prostitucion dhe pastrim parash.

Sipas hetimeve të autoriteteve italiane, Lacerenza, pronari i lokalit të njohur për VIP-a në Milano, jo vetëm që drejtonte një skemë të prostitucionit dhe shpërndante kokainë, por edhe menaxhonte shuma të mëdha parash, të cilat dyshohet se i ka transferuar në Shqipëri. Një histori e publikuar në Instagram vitin e kaluar nga vetë Lacerenza përshkruante një udhëtim në Shqipëri me një Lamborghini Urus dhe përmendte një shumë prej 80 milionë eurosh të depozituara në një bankë.

Ky rast vetëm sa ka nxjerrë në pah problemin më të gjerë të pastrimit të parave në Shqipëri. Bankat janë bërë porta hyrëse për kapitalin e dyshimtë, duke lehtësuar futjen e parave të pista në sistemin financiar. Rregulloret e buta dhe mungesa e një mbikëqyrjeje të fortë i kanë kthyer bankat shqiptare në një mekanizëm të përsosur për transaksione që mund të mbulojnë burime kriminale.

Gazeta Jonë po punon mbi një dosje voluminoze r lidhur me pastrimin e parave në vend dhe përfshirjen e disa bankave shqiptare në këtë rrjet.

Ky investigim synon të zbardhë se si paratë e ardhura nga aktivitetet kriminale, jo vetëm nga Italia, por edhe nga vende të tjera, po kanalizohen përmes sistemit bankar shqiptar pa pengesa të mëdha.

Në një kohë kur autoritetet ndërkombëtare janë gjithnjë e më të kujdesshme ndaj lëvizjeve financiare, mbetet për t’u parë nëse Shqipëria do të marrë masa konkrete për të ndaluar këtë fenomen apo do të vijojë të mbetet një strehë e sigurt për pastruesit e parave. /gazetajone