Gropa e thellë financiare e shoqërisë publike Albcontrol, që ka shkaktuar bllokimi i llogarive nga Becchetti vazhdon të thithë para publike nga të gjitha krahët.

Një ditë më parë Kapitali.al publikoi raportin e audituesve të pavarur, të cilët paralajmëronin se vijimësia e Albcontrol është në rrezik serioz për shkak të krizës financiare. Këtë të martë qeveria ka publikuar në fletoren zyrtare një vendim përmes të cilit i jep 3 miliardë lekë ose rreth 29 milionë euro borxh shoqërisë Albcontrol nga paratë e buxhetit të shtetit.

Kredia është miratuar përmes Aktit të fundit Normativ që ndryshoi buxhetin e shtetit të këtij viti.

“Fondi prej 3 000 milionë lekësh në tabelën nr. 4 të këtij ligji përdoret në formën e huadhënies nga buxheti i shtetit për shoqërinë e navigimit ajror,” thuhet në Aktin Normativ.

Krizë financiare

Prej tre vitesh shoqëria publike e navigimit ajror ndodhen në një krizë të thellë financiare për shkak të bllokimit të rreth 100 milionë eurove në llogaritë e saj pranë Eurocontrol nga biznesmeni italian Francesco Becchetti.

Bllokimi i parave u autorizua fillimisht nga Gjykata e Shkallës së Parë në Bruksel në dhjetor të vitit 2020. Qeveria tentoi ta hiqte sekuestron në Apel, por edhe Gjykata e Apelit konfirmoi vendimin e shkallës së parë duke lënë në fuqi sekuestron.

Si rrjedhojë nga dhjetori i vitit 2020, çdo e ardhur që Albcontrol fiton nga tarifimi i hapësirës ajrore mbahet e bllokuar nga biznesmeni italian si një kundërmasë për ekzekutimin e vendimit të arbitrazhit, që e dënoi Shqipërinë 110 milionë euro plus interesat dhe kamatat.

Për shkak se prej 3 vitesh Albcontrol ka humbur burimin kryesor të të ardhurave, shoqëria ka qenë në vështirësi të vazhdueshme financiare. Verën e vitit të kaluar ajo mori 7 milionë euro kredi emergjente nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, ndërsa në fund të vitit mori edhe 19 milionë euro të tjera kredi nga Autoriteti i Aviacionit Civil.

Nuk dihet se si do të përdoren shuma prej 3 miliardë lekësh që Albcontrol mori nga qeveria. A do të përdoren këto para për të financuar investime në Aeroportin e ri të Vlorës apo janë marrë si nevojë emergjente e kompanisë për likuiditet.

Ndoshta një pjesë e tyre do të përdoren edhe për të ripaguar kreditë e mëparshme të marra nga shoqëria, veçanërisht borxhin 7 milionë euro, që u mor nga DPSHTRR dhe kishte si afat maturimi pikërisht fundin e këtij viti.

Por përtej destinacionit të fondeve, tashmë Albcontrol është zhytur në një spirale borxhesh nga institucionet publike teksa të ardhurat e saj shkojnë në llogarinë që mbahet e bllokuar nga Beçhetti.

Gjyqi në themel i çështjes vazhdon ende. Në fund të tij gjykata në Bruksel do të marrë vendimin nëse paratë do të konfiskohen përfundimisht nga biznesmeni italian apo do të zhbllokohen për t’iu kthyer Albcontrol. Por në raportin e auditimit, audituesit e pavarur paarlajmërojnë mes rreshtave se opsioni i pare ka nja risk shumë të lartë materializimi.