Ministrja për Shtetin Elisa Spiropali foli në kongresin e partisë Socialiste për rezultatet e pyetësorit të Këshillimit Kombëtar, ndërsa theksoi se zëri i qytetarëve do të lexohet nga qeveria. Spiropali nuk i kurseu kritikat ndaj opozitës.
‘Edhe tani, spiralja e shëmtuar e luftës së brendshme në PD, kriza ciklike që ka shoqëruar humbjet ciklike të saj, e ka bërë opozitën më të dobët. E ka shndërruar atë nga qortuese problemesh, në një problem që duhet zgjidhur. E ka kthyer nga pol ekuilibrues dhe kontrollues të pushtetit, në një pushtet të pakontrolluar nga vetëdija politike dhe të çekuilibruar. Madje edhe më keq se kaq, duke e bërë atë si kurrë më parë shkak për frymëzime tmerrësisht të dëmshme për orientimin gjeostrategjik të Shqipërisë. Shumë e kanë menduar situatën në atë parti si një kusht që garanton qeverisjen tonë të qetë. Edhe më skeptikët ndaj të majtës, edhe ata që janë kritikë të ashpër ndaj nesh nuk i shohin ata si alternativë qeverisëse. Kush nuk vë dot rregull në shtëpinë e tij, e ka të pamundur të kujdeset për Shqipërinë, shtëpinë tonë të përbashkët. Politika e spicave dhe thikave, vallet me shkopa në rrota dhe rrokullisja gjithmonë e më në beter, nguti drejt ekstremit dhe vënia e grupit në funksionin të individit të ndëshkuar ekstremisht, është dënimi që PD i ka dhënë PD-së. Dy B-të e PD-së janë i njëjti thelb, me formë të ndryshme. Është e njëjta monedhë e hedhur në hava, që si të bjerë në një anë, si të bjerë në anën tjetër, nuk ndryshon asgjë në mentalitetin e tyre humbës, egoist dhe apolitik. Duke rrezikuar kështu seriozisht, që nga 200 lekë që kushtonte hipoteka e vulës, të bëhet siç po thonë edhe ata vetë, dy lekë parti. Kontrasti ynë me ta është shumëplanësh.’- tha Spiropali