Kontejnerë me mbetje toksike nga Shqipëria , jepet alarmi në Tajlandë , e përfshirë mafia shqiptare e plehrave
Autoritetet tajlandeze janë vënë në alarm për të ndaluar rreth 100 kontejnerë transporti që dyshohet se janë të mbushura me mbetje të rrezikshme industriale nga Shqipëria që po arrijnë në portet e vendit.
Nga të dhënat paraprake dyshohet se në skandalin dhe lëvizjet të ngjashme me ato të mafias italiane dikur me plehrat, është e përfshirë dhe një kompani e njohur shqiptare. Gazeta Jonë po heton për këtë çështje dhe do të dalë me një shkrim të detajuar në vijim.
Sipas Bloomberg, Basel Action Network, një organizatë jofitimprurëse me bazë në SHBA që gjurmon qarkullimin e mbetjeve toksike, e cila më parë paralajmëroi Malajzinë për dërgesat e paligjshme të mbeturinave, javën e kaluar informoi qeverinë se kontejnerët që organizata beson se janë të mbushura me pluhur toksik po shkonin me tonelata në drejtim të Tajlandës.
Madje, çështja futet në hullitë e sjelljes së mafiozëve, pasi një nga anijet që transportonte kontejnerët nuk është më e dukshme në shërbimet e gjurmimit në det.
Gjurmimi i anijes u zhduk kur ishte pranë Afrikës së Jugut.
Zyrtarët tajlandez, pasi morën informacionin se kontejnerët ishin ngarkuar në anije në Shqipëri në fillim të korrikut, thonë se po punojnë me homologët në Shqipëri dhe Singapor, ku anijet do të ankorohen më vonë këtë muaj, për të ndaluar dërgesat.
Agjencitë përkatëse qeveritare “nuk janë njoftuar dhe nuk kanë dhënë pëlqimin për këto dërgesa”, tha në një email Departamenti i Punëve Industriale të Tajlandës, i cili mbikëqyr menaxhimin ndërkombëtar të mbetjeve. “Aktualisht jemi duke koordinuar dhe monitoruar për të parandaluar këtë trafik të paligjshëm”.
Fluksi i plehrave
Tajlanda dhe vendet e tjera të Azisë Juglindore kanë parë një fluks mbeturinash nga vendet e zhvilluara, nga plastika e ndotur deri te mbetjet industriale dhe elektronike, të cilat mund të jenë të mbushura me toksina.
Sipas Konventës së Bazelit të Kombeve të Bashkuara – një pakt global i nënshkruar nga shumë ekonomi të zhvilluara – vendet duhet të japin pëlqimin që mbeturinat të shkojnë në rrugën e tyre.
Maersk konfirmoi se dy nga anijet e saj mallrash po transportojnë kontejnerë me origjinë nga Shqipëria të rezervuara nga një linjë tjetër detare.
Asnjë nga kontejnerët nuk u deklarua se përmban mbetje të rrezikshme, përndryshe Maersk do të kishte refuzuar t’i transportonte ato, tha zëdhënësja Summer Shi në një email.
“Për shkak të spekulimeve në lidhje me përmbajtjen e këtyre kontejnerëve, Maersk do t’i dorëzojë kontejnerët në linjën e transportit që ka rezervuar dhe është përgjegjëse për kontejnerët në fjalë,” tha ajo. /GazetaJonë