Një sasi prej 670 000 litra naftë e dyshuar e kontrabanduar nga Tunizia është sekuestruar në Durrës.

Policia thotë gjithashtu se ne kuader te operacionit “Ari i zi” është sekuestruar anija me të cilën ishte kontrabanduar nafta, 14 dokumente identifikimi dhe dokumente për lundrim, 10 celularë dhe dokumente të tjera që do t’i shërbejnë hetimit për rastin.

Në pranga u vunë 3 shtetas dhe u proceduan në gjendje të lirë 5 të tjerë (shqiptarë dhe të huaj), pjesëtarë të ekuipazhit të anijes.

Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasi sirian M. K., 45 vjeç, me detyrë kapiten i anijes, shtetasi shqiptar E. C., 43 vjeç, me detyrë marinar i anijes, si dhe shtetasi indian S. V., 42 vjeç, me detyrë oficer i parë i anijes. Gjithashtu, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim organizatorët e dyshuar të këtij rasti, shtetasit E. S., 59 vjeç, banues në Durrës, dhe F. B., 29 vjeç, banues në Zvicër.

Më tej, gjatë këtij operacioni, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 5 pjesëtarë të tjerë të ekuipazhit të anijes, përgjegjës për mirëmbajtjen e mjetit.

Nga kontrolle në anije, në balastrat që shërbejnë për balancimin e mjetit, u gjetën përkatësisht 670 000 litra naftë e dyshuar e kontrabanduar nga Tunizia”, thotë policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./gazetajone