Detaje të reja kanë dalë në dritë nga kontrolli i agjentëve të Byrosë Kombëtare Hetimore, në një banesë në qytetin e Vlorës, e cila pretendohej se ishte në pronësi të ish-ministrit Ilir Beqaj, i cili u arrestua disa ditë më parë me urdhër të SPAK. Agjentët e BKH-së kanë pritur për disa orë që dikush të shkonte dhe t’iu jepte çelësin e banesës, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur, dhe për këtë shkak ata kanë lajmëruar shërbimin zjarrfikës me qëllim hapjen e banesës me forcë.
Burime nga grupi i hetimit bëjnë me dije se në banesë nuk janë gjetur sende të dyshimta përveç disa shisheve me verë. Avokati ish-ministrit ka deklaruar se banesa nuk është në pronësi të Ilir Beqjas, por kjo nuk i ka ndaluar agjentët e BKH që të kryejnë kontrollin, pasi sipas informacioneve të tyre kjo banesë ishte përdorur nga ish-socialisti. Nga kontrollet e mëparshme në sendet e ish-ministrit Beqja janë gjetur foto të objektit me të njëjtin arredim.
Ndërkohë pas kontrollit të banesës agjentët e BKH kanë kontrolluar dhe disa garazhe në pallatin në fjalë. Nga informacionet e grumbulluara nga SPAK, ish-ministri parkonte një makinë në atë pallat, automjet i cili nuk është gjetur ende nga ana e autoriteteve.
Çfarë pretendoi dje avokati i Beqajt, Ermal Yzeiraj
Sipas Yzeiraj, prona mbi të cilën është ushtruar kontroll dhe janë vendosur shiritat e verdhë nuk është e Beqajt, pasi është marrë me qira në vitin 2020, ndërsa shton se kontrata e saj ka mbaruar dhe ish-ministri nuk e përdor më atë banesë.
“Sot më datë 24.07.2024, rreth orës 14:00, unë si avokat i z. Ilir Beqaj jam kontaktuar në telefon nga oficerët përkatës të SPAK, të cilët më kërkuan të isha prezent në kontrollin që do ti bëhej (sipas tyre) shtëpisë në pronësi të z. Ilir Beqaj në Vlorë, duke më kërkuar gjithashtu që tu sillja nga Tirana dhe çelësin e kësaj shtëpie pasi në rast të kundërt do të shpërthenin derën.
Pasi e sqarova oficerin përkatës të SPAK që z. Ilir Beqaj nuk ka asnjë apartament në pronësi në Vlorë ai kërkoi ndjesë se ishte shprehur gabim dhe sqaroi që bëhet fjalë për një banesë që z. Beqaj nuk e ka në pronësi, por e ka patur me qira sipas një kontrate qiraje të vitit 2020”,– thuhet në reagimin e avokatit të Ilir Beqaj.
Për Yzeiraj kërkesa e SPAK për të ushtruar kontroll në këtë apartament që nuk rezulton në pronësi të ish-ministrit Ilir Beqaj është e paligjshme dhe një tentativë e dëshpëruar për të gjetur me çdo kusht një arsye që Beqaj të mbahet në burg dhe tregon që arsyet e deritanishme nuk paskan qenë dhe kaq bindëse sa pretendohej se ishin.
“Ilir Beqaj ka kohë që nuk e përdor më këtë shtëpi me qira, prandaj unë si avokat nuk kisha përse të nisesha nga Tirana për në Vlorë për të marrë pjesë në kontrollin e një banesë që ishte në pronësi dhe në përdorim të dikujt tjetër dhe madje një kërkesë e tillë ishte dhe tërësisht e paligjshme. Z. Ilir Beqaj nuk është as qiramarrës dhe as posedues i këtij apartamenti. Madje nuk ka sens logjik që z. Beqaj të jetë përdorues i këtij apartamenti kur të gjithë e dinë që z. Ilir Beqaj është tashmë në ambientet e paraburgimit.
Një kontroll i tillë është veçse një tentativë e dëshpëruar (në nivelet e një fiksimi) për të gjetur me çdo kusht një arsye që z. Ilir Beqaj të mbahet në burg dhe tregon që arsyet e deritanishme nuk paskan qenë dhe kaq bindëse sa pretendohej se ishin. Përkundrazi të gjitha veprimet e deritanishme për mbajtjen e z. Beqaj me masë sigurie arrest në burg janë haptazi në kundërshtim me jurisprudencën e GJEDNJ”,– shkruante avokati.