Në fund të vitit 2019, mes kundërshtimeve të hapura nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, Parlamenti miratoi një ligj të propozuar nga qeveria për krijimin e Korporatës Shqiptare të Investimeve. E konceptuar si një shoqëri aksionare me pronar Ministrinë e Financave, Korporata u themelua në korrik të vitit 2020.
Objekti i aktivitetit të saj është nxitja e zhvillimit ekonomik nëpërmjet projekteve të investimit me potencial komercial në nivel qëndror, vendor dhe rajonal, në mbështetje të politikave shtetërore të zhvillimit. Po kështu, aktiviteti i saj përfshin vënien në përdorim me eficiencë të pronave shtetërore, kryerjen e investimeve duke mobilizuar kapital shtetëror ose privat dhe këshillimin e institucioneve publike në hartimin e projekte.
Kanë kaluar 3 vjet e gjysmë nga krijimi i Korporatës. Por cili është produkti i saj në funksion të zhvillimit të ekonomisë kombëtare? Përgjigjen e jep Kontrolli i Lartë i Shtetit.
“Aktualisht kjo shoqëri referuar gjendjes në regjistrin tregtar zotëron një kapital prej 4,318,000,000 lekë, edhe pse paraqitet me humbje dhe për tre vite nuk ka paraqitur e realizuar asnjë projekt,” konstaton KLSH në një raporti auditimi në Ministrinë e Financave.
Për ta thënë më shkurt, për 3 vjet e gjysmë Korporata e Investimeve ka qenë një institucion parazitar me vetëm një funksion; shpërblimin e zyrtarëve të ndryshëm të shtetit me honorare nga paratë e taksave të qytetarëve. Dhe fatura nuk është e vogël.
Miliona për burokratët
Në vitin 2021, Korporata e Investimeve e mbylli vitin me humbje 19.4 milionë lekë humbje. Por vitin që lamë pas humbjet u rritën në 69 milionë lekë ose rreth 680 mijë euro.
Korporata e Investimeve nuk ka asnjë të ardhur. Rrjedhimisht çdo shpenzim që ajo bën shkon drejtëpërdrejtë në humbje. Por cilat janë shpenzimet e saj.
Sipas bilancit të detajuar që AIC dorëzoi në Qendrën Kombëtare të Binzesit, për vitin e kaluar ajo pagoi 200 mijë euro si honorare për Këshillin Mbikqyrës, ndërsa rreth 280 mijë euro të tjera ishin shpenzimet e pagave për 11 punonjësit e Korporatës.
Por ndërsa taksapaguesit shqiptarë financojnë pagat dhe honoraret e zyrtarëve të Korporatës, produkt nuk ka kohë. Tipike e shoqërive e shtetërore.
Menaxhim për spital psikiatrik
Përtej parazitarizimit, tashmë ka dyshime të forta edhe për mënyrën se si menaxhohet kjo Korporata. Në 28 dhjetor të vitit të kaluar, aksionari i Koporatës, ministria e Financave ka marrë katër vendime.
Vendimi i parë për të rritur kapitalin e shoqërisë me 2 miliardë lekë. Vendimi i dytë për të ulur kapitalin e shoqërisë me 2 miliardë lekë. Vendimi i tretë për të anulluar rritjen e kapitalit të bërë në shtator, po 2 miliardë lekë. Vendimi i katërt për të rritur kapitalin e shoqërisë me 1.2 miliardë lekë.
Me pak fjalë, 4 vendime për rritje dhe ulje kapitali në një ditë. Praktikisht kjo interpretohet kështu. Një njeri merr një lopatë dhe hap një gropë. Pastaj e mbyll gropën sërish. Pastaj hap një gropë tjetër, pastaj e mbyll sërish.
Këto janë punët e qeverisë. Hap gropa, mbyll gropa dhe digj taksat e qytetarëve.