Korrupsion masiv në dogana, KLSH zbulon shkeljet TRONDITËSE, pse Gent Gazheli mbyll sytë ndaj hajdutëve me uniformën e shtetit?!
Buxheti i shtetit ka humbur miliona euro përgjatë viteve 2022 dhe 2023 për shkak të zbatimit të gabuar të ligjit nga ana e doganave shqiptare, mosreflektimit prej tyre të çmimeve të rritura në këtë periudhë për mallrat, regjistrim të gabuar të mallrave që përjashtohen nga TVSh e deri te mosverifikimi korrekt i çmimeve të produkteve gjatë zhdoganimit.
Një audit i pjesshëm i Kontrollit të Lartë të Shtetit përgjatë vitit 2022 gjen shkelje të rënda përgjatë në të gjitha pikat doganore, që nga Vlora, Fieri, Lezha e deri në Han të Hotit.
Skema është e njëjtë, doganierët kanë pranuar deklarata nga importuesit me çmime nën vlerën e tregut, kanë klasifikuar në mënyrë të gabuar mallra me tarifë zhdoganimi 6 deri në 15 për qind, duke i regjistruar në kategori me tarifë zhdoganimi 0 për qind.
KLSh vëren në audit se në këtë periudhë nuk janë marrë parasysh çmimet e rritura të shumë produkteve në tregjet ndërkombëtare, që u reflektuan në tregun vendas me një litër naftë që arriti gati në 300 lekë.
Sipas raportit, nga kontrolli i pjesshëm i praktikave të zhdoganimit për një numër të kufizuar mallrash, buxheti i shtetit ka humbur të paktën 1.5 milionë euro të ardhura përgjatë vitit 2022.
Të ardhurat e munguara janë nga mospërfitimi i tarifës së zhdoganimit që nga materialet e plastikës, te ato të hekurit e deri te produktet elektroshtëpiake.
Si shembull, KLSh vëren se përgjatë vitit 2022, në doganën e Lezhës është përjashtuar në mënyrë të gabuar importi i hekurit.
Baza ligjore që kanë përdorur doganierët është një vendim i Qeverisë që përjashtonte nga kjo taksë hekurin që përdorej për rindërtimin nga tërmeti.
VKM detyron importuesin që për të përfituar nga ky përjashtim të dorëzojë dokumentacione shtesë për porositësin dhe zonën ku do të përdorej për ndërtim hekuri i importuar.
Por, jo në të gjitha rastet doganat kanë kërkuar dokumentacion shtesë. Për mijëra tonë të këtij produkti, që dyshohet se janë përdorur për qëllime thellësisht tregtare madje edhe në zona të paprekura nga tërmeti dhe jo në kuadër të procesit të rindërtimit, importuesit kanë shmangur taksën mbi vlerën e shtuar.
Rasti tjetër i identifikuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit është në doganën e Fierit.
Sipas auditi, në këtë doganë në një rast importi lavatriçes doganierët kanë pranuar apriori çmimin e blerjes të deklaruar nga importuesit, që varionte nga 180 deri në 220 euro për njësi, ndërkohë që për të njëjtat produkte çmimet në tregjet ndërkombëtare ishin 50 deri në 100 për qind më shtrenjtë.
Drejtoria e Përgjithshme mbyll sytë para shkeljeve
Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit në përfundim të auditit të vitit 2022 lë disa rekomandime për Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave. Në total janë 13 të tilla, për të cilat KLSh lë detyrë që të përmbushen brenda gjashtëmujorit të parë të vitit 2023.
Por çfarë ndodh?
Në shtator të 2023, KLSh vëren se nga 13 rekomandimet e lëna, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka zbatuar vetëm një, një tjetër ishte në atë kohë në process zbatimi, pjesërisht janë zbatuar katër të tjera dhe shtatë rekomandime nuk janë zbatuar fare.
KLSH ngarkon drejtpërdrejt me përgjegjësi Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, Gent Gazheli që të analizojë situatën lidhur me rekomandimet e pazbatuara dhe të zbatuara pjesërisht, për nxjerrjen e përgjegjësive lidhur me mos realizimin e tyre, si dhe të merren masat e nevojshme administrative dhe ligjore për zbatimin e plotë të rekomandimeve të lëna nga auditimi i mëparshëm i KLSH-së.
Shkeljet, vetëm maja e ajsbergut!
Klasifikimi i gabuar i mallrave që importohen, keqinterpretimi i ligjit apo shmangia e detyrimeve doganore duke zbatuar ligje, vendime qeverie dhe rregullore që nuk përkojnë me rastet e evidentuara nga KLSH janë shkeljet më të vogla në dogana.
Burime të Voxnews.al, njohëse prej vitesh të sistemit pohojnë se në pjesën më të madhe të doganave të vendit ekziston një kulturë korrupsioni pandemike e nxitur ‘nga lart’.
Se sa lart nxitet korrupsioni në dogana, burimet tregohen të rezervuara, por rekomandimet e KLSh-së për drejtorin e Përgjithshëm të Doganave dhe moszbatimi i tyre sugjerojnë se në mos është vetë ideatori dhe pjesa e sistemit korruptiv, Gent Gazheli është nxitësi i tij.
Pretendimet e burimeve konfirmohen edhe nga shifrat e të ardhurave të grumbulluara nga doganat ndër vite. Nëse merret parasysh rritja e çmimeve në dy vitet, 2022-2023 dhe krahasohet me të ardhurat e doganave, shifrat tregojnë një rritje jo proporcionale mes çmimeve dhe arkëtimeve të doganave, që janë më të ulta.
Si shembull, në vitin 2022, doganat arkëtuan 223.1 miliardë lekë, ku 11.5 miliardë lekë ishin vetëm nga rritja e çmimeve të arkëtuara përmes TVSh. Në vitin 2023, megjithëse çmimet ruajtën trendin rritës, doganat arkëtuan rreth 210 miliardë lekë, ose 13 miliardë lekë më pak se viti 2022.