Kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiç ka deklaruar në forumin e Bledit se Kosova dhe Serbia janë një shtet i vetëm, duke provokuar edhe reagimin e menjëhershëm të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Ajo tha se nuk ka normalizim të marrëdhënieve nëse nuk ndodh asociacioni.
“Në fillim më duhet të them që për mua është një vend, nuk ka dy vende. Kosova nuk njihet nga ndërkombëtarët dhe nuk është pjesë e OKB. Dyshoj që të jetë pjesë e BE ndërsa ka 5 vende që nuk e njohin. Normalizimi që është në interes si të serbëve dhe shqiptarëve dhe gjithë rajonit, është në krye të prioriteteve tona. Normalizimi fillon me marrëveshjen e Brukselit e nënshtruar 10 vite më parë.
E vetmja gjë që Prishtina duhej të bënte është themelimi i bashkësive serbe. Kurti thotë se marrëveshja nuk ekziston për të, por po e përsëris që ky është hapi i parë që duhet të zbatohet për normalizimit. Po presim asociacionit”, tha ajo.
Por nuk ka munguar përgjigja e Kurtit, i cili e ka quajtur Serbinë si shtet deluzional, duke thënë se nuk janë distancuar as nga Putin dhe as nga Millosheviçi.
“Të mbështesësh Kosovën për BE ne e kemi 94%. Ne kemi vënë sanksione kundër Rusisë, Serbia jo, nuk e distancoi veten as nga Millosheviç as nga Putin, ndaj nuk është thjeshtë për ne. Normalizimi me Serbinë është shumë herë më i vështirë. Normalizimi nga pikëpamja psikologjike do të thotë mungesë të konfuzionit mes fantazisë dhe realitetit”, tha Kurti.