IMG_0139

Hetimet për vrasjen e 24-vjeçares palestineze Rayyan Alwan në Tiranë marrin një kthesë të papritur.
Kur policia shqiptare kërkoi nga autoritetet gjermane të njoftonin prindërit e viktimës, me qëllim që ata të tërhiqnin trupin e pajetë të saj, mori një informacion befasues. Autoritetet e huaja ngritën dyshime ndaj grupit hetimor se Fadi Alwan, i shpallur në kërkim për vrasjen e 24-vjeçares, mund të jetë babai i saj dhe jo bashkëshorti.

Fillimisht, policia deklaroi se Rayyan Alwan dhe Fadi Alwan ishin bashkëshortë, pasi si të tillë ishin prezantuar kur kishin marrë me qira një dhomë çifti në rrugën “Gjon Muzaka”, ku më vonë u gjet e pajetë 24-vjeçarja.

Por dyshimet se Rayyan dhe 49-vjeçari mund të jenë baba e bijë ndryshojnë tërësisht rrjedhën e hetimeve dhe motivin e krimit.

Rayyan dhe Fadi Alwan mbërritën në Shqipëri më 19 shkurt përmes aeroportit të Rinasit. Ata u vendosën në një dhomë me qira në rrugën “Gjon Muzaka” në kryeqytet. Më 22 shkurt, Fadi Alwan u largua nga Shqipëria drejt Greqisë dhe më pas udhëtoi për në Holandë.

Vrasja e vajzës u zbulua më 27 shkurt, pesë ditë pas largimit të autorit të dyshuar. Ai kishte pastruar çdo gjurmë dhe kishte marrë dokumentet, duke e bërë të vështirë identifikimin e viktimës dhe autorit të mundshëm.