Kullë 23 katëshe pas Teatrit Kombëtar , bashkia e Tiranës i dhuron “Fushës” 1,266 m2 tokë publike
Pasi dështuan të realizojnë ligjin special për ndërtimin e teatrit të ri kombëtar dhe kullave pas tij, sipërmarrësi Shkëlqim Fusha dhe qeveria shqiptare kanë hartuar një plan të ri.
Një kullë 23 katëshe do të ngrihet pas Teatrit Kombëtar, mbi një sipërfaqe publike prej 1,266 m2, të cilën Bashkia Tiranë e “dhuron” përmes një marrëveshje ku merr në këmbim sipërfaqe ndërtimi.
Citizens disponon projektin-idenë e kullës “Mixuse” prej 13 -24 katesh që do të ngrihet në shëtitoren “Abdi Toptani”.
“Nuk ka kulla aty. Nuk do ndërtohen kulla aty. Brenda, jashtë, mbrapa dhe në të gjithë perimetrin ku kanë bërë zvarritjen imagjinare të viktimës nuk ka kulla”, – deklaronte kryeministri Edi Rama, në kohën e protestave të artistëve kundër shembjes së Teatrit Kombëtar.
Me një vendim të datës 3 Maj të vitit të kaluar, Bashkia Tiranë i ka dhënë kompanisë “Fusha shpk” 1266.6 m2 truall në rrugën “Abdi Toptani”, dhe dy ndërtesa përkatësisht 801.4 m2 dhe 183 m2. Njëra prej tyre është godina e ndërmarrjes së dekorit të Tiranës.
Kompania “Fusha” ishte ofruar që në vitin 2018 për ndërtimin falas të Teatrit Kombëtar në këmbim të një sipërfaqeje prej mijëra metra katrorë ku do të ngrinte edhe një kompleks prej 6 kullash. Aktualisht, Teatri me nje kosto prej 40 mln euro po ndërtohet nga fondet publike, megjithatë sipërmarrësi po e realizon ambicien për të ndërtuar mbi tokë publike në zemër të kryeqytetit.
“Në këmbim të përfitimit të 50 % të sipërfaqes ndërtimore (nëntokë dhe mbi tokë), që do të ngrihet në pasurinë e llojit truall në pronësi të Bashkisë së Tiranës”, thuhet në vendimin e Bashkisë Tiranë.
SON Engineering & Construction është kompania që ka projektuar ndërtimin e kullës, e cila ka shoqëri bijë “Shoqërinë Koncesionare Tirana 4”, që 32.9% të aksioneve zotërohen po nga kompania “Fusha’, ndërsa administrator është Elti Fusha, djali i Shkëlqim Fushës.
Citizens komunkoi me një përfaqësues të kompanisë Fusha, për një koment mbi këtë projekt, por ky i fundit nuk pranoi të citohet.
Kompania “Fusha” ka një histori të gjatë përpjekjesh për të ndërtuar Teatrin Kombëtar, e cila duket se po vuloset me dhurimin e këtij trualli.
“Bashkia Tiranë po zbaton projektligjin antikushtetues Fusha”
Në korrik të 2021, Gjykata Kushtetuese rrëzoi vendimin e qeverisë për të kaluar në pronësi të Bashkisë Tiranë Teatrin Kombëtar, duke e konsideruar atë si të papajtueshëm me kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare.
Marrëveshja e miratuar nga Këshilli Bashkiak, duket se ka dalë mbi të gjitha institucionet, pasi po ekzekuton një vendim të cilin Parlamenti nuk arriti ta bënte duke qenë se u shpall antikushtetues.
Gjykata Kuashtetuese vlerësoi asokohe se ligji, i cili përcaktonte një procedurë të veçantë negocimi për lidhjen e kontratës për projektin urban dhe godinën e re të teatrit, “cënon lirinë e veprimtarisë ekonomike, parimin e shtetit të së drejtës dhe atë të decentralizimit dhe të autonomisë vendore”.
Antikushtetueshmeria e ligjit lidhej me faktin që shteti nuk mundet të falë tokë publike tek një privat.
Sot Bashkia Tiranë po zbaton me anë të një Vendimi të Këshillit Bashkiak parimin e këtij ligji duke falur tokë publike.
Në 16 shkurt 2018, sipërmarrësi Shkëlqim Fusha përmes një kërkesë dyfaqëshe synonte të transformonte pronën e tij prej vetëm 298.1 m2 në një kompleks kullash 17-21 kate, të shtrira mbi 8465 m2 tokë publike-përfshirë Teatrin Kombëtar, ish-selinë e Partisë Demokratike dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Ai propozonte ndërtimin e nje teatri të ri dhe një bllok ndërtesash komerciale në truallin ekazsitues të Teatrit Kombëtar.
Në 8 shkurt u vendos guri i parë për shembjen e Teatrit Kombëtar si dhe nisën dhe hapat e para të betejës 2 vjeçare të artistëve dhe aktivsitëve.
Në atë datë, artistët u njoftuan për lirimin e godinës dhe zhvendosjen e tyre te ArtTurbina. Ata dyshuan se pas kërkesës për lirimin e godinës qëndronte plani për shembjen e saj.
Dhe pak ditë më vonë u shfaq plani i Shkëlqim Fushës për ndërtimin e kullave dhe teatrit të ri.
Më 12 Mars, kryeministri Edi Rama bëri publike planet e qeverisë për ndërimin e teatrit të ri me Partneritet Publik Privat.
Po ashtu u prezantua një projektligj i jashtëzakonshëm për t’i dhënë kompanisë “Fusha shpk”, pa garë tokën e Teatrit Kombëtar, i cili kaloi më pas në Kuvend më 5 Korrik, por më pas u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese.
Por qeveria nuk u tërhoq nga shembja e teatrit.
Pas një rezistence të gjatë të aktivsitëve dhe artistëve, që qëndruan me netë në godinën e Teatrit Kombëtar, qeveria përdori një moment delikat gjatë pandemisë dhe zgjodhi të shembë godinën në orët e para të mëngjesit në 17 maj 2020, duke shënuar fundin e betejës 2-vjeçare.
Qeveria ndryshoi planin dhe deklaroi se tashmë teatri do të ndërtohej me para publike.
“Hapim një garë ndërkombëtare për 60 ditë dhe pastaj me të shpallur fituesin ne fillojmë ndërtimin e Teatrit Kombëtar të Tiranës me projektin e Bjarke Ingels, me projektin danez dhe do të kemi teatrin ndoshta me modern në Ballkan”, tha kreu i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj.
Por u deshën 800 ditë, një sërë afatesh të shkelura dhe premtimesh të pambajtura që të hapej gara për ndërtimin e Teatrit të ri, sepse puna për ndërtimin e tij është një histori tjetër.
Më 15 gusht 2020, në 100 vjetorin e Tiranës kryeqytet, Veliaj deklaroi nisjen punimeve dhe konfirmoi projektin e miratuar për tu zbatuar, i studios Bjarke Ingels Group.
Ndërsa më 29 qershor 2021, Veliaj bëri me dije se Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi lejen për ndërtimin e Teatrit të ri.
Në 21 Dhjetor 2022 në një cermoni të mbyllur për publikun dhe median, kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj së bashku me kryeministrin Edi Rama, përfaqësues të qeverisë dhe artistë e pozicionuar pro tyre, inauguruan nisjen e punimeve për teatrin e ri.
U vendos guri i parë që do shënjonte nisjen e punimeve, por për një kohë të gjatë ishte i vetmi gur i vendosur, sepse makineritë u shfaqën në fillim të 2024 në sheshin e teatrit.
Sipas kryeministrit Rama dhe kryebashkiakut Veliaj, puna ngeci për shkak të pandemisë, tërmetit dhe luftës në Ukrainë.
Më 25 prill 2022, në konferencën e javëve ndërkombëtare të Kulturës, Rama ia kaloi fajin fatkeqësive natyrore dhe situatës në Ukrainë për mosnisjen e punimeve. /Citizens-Channel