Agjentet e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë kontrolluar sistemin TIMS për të zbuluar udhëtimet jashtë shtetit të grupit që do të eliminonte Sokol Sanxhaktarin, dhëndrin e ish-kryebashkiakut të Elbasanit. Në fund të nëntorit është zbuluar gjithçka për vëllezërit Çapja dhe emrat e treguar nga Nuredin Dumani.
Hetimet e tre prokurorëve të SPAK, për organizimin e vrasjes se mbetur në tentativë ndaj Sokol Sanxhaktarit, në Elbasan, kanë çuar oficerët në verifikimin e çdo udhëtimi jashtë shtetit të disa prej emrave që janë treguar nga Nuredin Dumani.
Në dokumentacion tregohet se Byroja Kombëtare e Hetimet, është urdhëruar të marrë të dhënat nga sistemi TIMS, çdo të dhënë të udhëtimeve të përbashkëta mes personazheve të njohur të botës së krimit, si:
Elvis Koçi alias Çaushllari, Erion Çapia, Florenc Çapia, Bledar Muça, Elio Bitri dhe persona të tjerë.
Verifikimi është kryer në fund të nëntorit. Kjo për të mësuar më shumë rreth dyshimeve për udhëtime në Kosovë të këtyre personave. Shtet në të cilin qëndronte i strehuar Nuredin Dumani. Prokurorët kanë kërkuar nga DPSHTRR, të dhëna mbi pronësinë e mjetit tip “Audi A7” me targë AA257ZB.
Me këtë automjet, Dumani ka treguar se udhëtoi me Ervin Çaushllarin dhe Eljo Bitrin, nga Rrogozhina për Elbasan. Aty ku ka takuar Florenc Çapian dhe Bledar Muçën. SPAK ka zbuluar se makina, përdorej nga Ervis Çaushllari. Por në pronësi është në emër të Raif dhe Hasim Çaushllarit.
SPAK, ka tërhequr pak ditë më parë nga prokuroria e Elbasanit, dosjen penale të ngjarjes kriminale të ndodhur në 25 nëntor 2020. Ervis Koçi alias Çaushllari, mbeti i plagosur si pasojë e një shkëmbimi zjarri me armë me personat e tjerë të përfshirë në konflikt.
Njeriu që njihet me nofkën “Vis Korçari”, në 3 shkurt 2022, është deklaruar fajtor. Ai vuan dënimin me 3 vjet e 4 muaj burgim. Gjykata dënoi me 9 muaj burgim për akuzën e “Moskallëzimit të krimit” edhe Ersi Çekanin, Armand Cevelin dhe Feliks Filjan. I dënuar për këtë ngjarje është dhe Migert Qosja. Ai rezultoi të ishte personi që ka plagosur Ervis Çaushllarin.