Andrew (Edvin) Bode i shpallur në kërkim për vrasjen e Edmond Papës në Selitë në Tiranë në dhjetor të vitit 2022, është arrestuar nga një operacion i zhvilluar nga forcat Renea dhe policia e Gjirokastrës.

Gjithashtu është arrestuar Andrea alias Adriatik Kalemi dhe Julian Kalemi, i cili kishte strehuar në banesë Andrew Boden.

Andrew Bode, 44 vjeç, me origjinë nga Berati, dyshohet të jetë ekzekutori i Edmond Papës në 16 dhjetor në zonën e Selitës në Tiranë.

Bode, njihet dhe me emrin Edvin Bode, por për shkak të problemeve me drejtësinë e ka ndërruar para disa vitesh. Megjithatë në gjendjen civile rezulton i regjistruar me emrin Andrew Bode.

Dyshohet se Bode u ndihmua nga Albano Velo për të eleminuar Papën për tu hakmarrë për vrasjen e Aleksandër Sadikajt në qershor të vitit 2022. Sadikajt iu bë atentat me tritol dhe i riu nuk mundi që t’i mbijetonte plagëve.

Si u ekzekutua Edmond Papa

Papa u ekzekutua mbrëmjen e 16 dhjetorit në hyrje të një lokali në rrugën “Fadil Bodinaku“ Tiranë.

Ai sapo ishte ulur në lokal kur u qëllua me 9 plumba nga një person i maskuar. Edhe pse 49-vjeçari u dërgua në Spitalin e Traumës, nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra.

Biznesmeni me origjinë nga Rroskoveci, jetonte mes Sarandës dhe Anglisë.

Ai kishte ardhur në Tiranë më 16 Dhjetor tek vëllai i tij, që banonte pak metra larg lokalit ku u qëllua për vdekje. Dëshmitarët okularë i treguan policisë se ai iu kundërpërgjigj autorit, duke e qëlluar me tavllën e duhanit në tavolinë.